Please enter at least 3 characters.

Si po i refuzon Atletico të gjitha ofertat për Julian Alvarezin?

Transferimi i Julian Alvarez vazhdon të jetë një nga telenovelat më të mëdha të kësaj vere. Edhe pse Barcelona konsiderohej favoritja për nënshkrimin e sulmuesit argjentinas, në garë është futur fuqishëm edhe Arsenali.

Sipas The Independent, klubi londinez synon ta mbyllë sa më shpejt marrëveshjen, me trajnerin Mikel Arteta që e sheh Alvarezin si objektivin kryesor për repartin ofensiv. "Topçinjtë" dëshirojnë ta kenë 26-vjeçarin në dispozicion që në fillimin e fazës përgatitore më 20 korrik.

Megjithatë, operacioni pritet të jetë jashtëzakonisht i vështirë. Alvarez preferon të vazhdojë karrierën në Spanjë, ku prioritetet e tij mbeten Barcelona dhe Real Madridi.

Problemi më i madh për të gjitha klubet e interesuara është qëndrimi i Atletico Madridit. Klubi madrilen nuk ka ndërmend të shesë një nga yjet e skuadrës dhe vazhdon të refuzojë çdo ofertë.

Sipas raportimeve, Arsenali është i gatshëm të ofrojë deri në 105 milionë euro, ndërsa Real Madridi ka qenë i gatshëm të shkojë mbi 120 milionë euro.

Madje, sipas raportimeve, Atletico Madrid ka refuzuar së fundmi edhe një ofertë prej 150 milionë eurosh për Alvarezin, duke treguar qartë se nuk dëshiron ta humbasë sulmuesin argjentinas, i cili ka kontratë deri në verën e vitit 2030.

Edhe Barcelona mbetet në garë, por situata financiare e klubit katalanas e vështirëson operacionin. Presidenti Joan Laporta ka bërë të qartë se oferta e Barcelonës nuk do të qëndrojë e hapur pafundësisht.

“Oferta jonë e parë është ende në fuqi, por nuk do të mbetet e vlefshme për një kohë të pacaktuar”, citohet të ketë thënë Laporta nga Fabrizio Romano.

Me interesimin e Barcelonës, Real Madridit, Arsenalit dhe më herët edhe Paris Saint-Germainit, e ardhmja e Julian Alvarez pritet të mbetet një nga temat më të nxehta të merkatos verore. /Telegrafi/