Si 20-vjeçarja e shantazhoi futbollistin e famshëm dhe përfundoi bashkë me të dashurin në burg
Heung-min Son
Një 20-vjeçare nga Koreja e Jugut është dënuar me katër vite burg pasi ka shantazhuar yllin e futbollit, Heung-min Son, gjatë kohës kur ai luante për Tottenham Hotspur.
Sipas agjencisë Yonhap News TV, gruaja kishte pasur një marrëdhënie me futbollistin dhe më pas e kishte kërcënuar, duke i kërkuar afërsisht 175 mijë euro.
Ajo i kishte dërguar edhe foto të një ekografi të fetusit, duke kërcënuar se do të bëjë publike shtatzëninë.
Më pas, së bashku me të dashurin e saj, ajo i kërkoi futbollistit një shumë shtesë prej 41 mijë eurosh.I dashuri i saj është dënuar me 2 vite burg, pasi të dy u arrestuan në maj të këtij viti.
Arrestimi ndodhi pas refuzimit të Son për të paguar shumën e dytë dhe denoncimit të ngjarjes në polici.
Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura muajin e kaluar, dhe tani është bërë i ditur vendimi i dhënë nga gjykata për çiftin që tentoi të shantazhojë futbollistin.
Rasti ka ngjallur interes të madh mediatik dhe është shembull i një forme të shantazhit që përfshin figurat publike dhe sportistët. /Telegrafi/


