Please enter at least 3 characters.

Shqipëria u përmend për “veprimtari hibride”, Hoxha takon homologun malazez: Gjithçka qetë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi në Bled një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, në një kohë kur marrëdhëniet mes Tiranës dhe Podgoricës janë vënë në vëmendje pas pretendimeve për “veprimtari hibride” që synonin destabilizimin e Malit të

Në fund të gushtit, kryeministri malazez Milojko Spajiq deklaroi se kishte informacione për veprimtari hibride të koordinuara nga zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit, me synim destabilizimin e vendit dhe pengimin e rrugës së tij drejt Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Spajiq nuk përmendi publikisht emrat e shteteve. Më pas, media malazeze “Vijesti” raportoi, duke iu referuar burimeve anonime, se bëhej fjalë për Serbinë dhe Shqipërinë.

Raportimi shkaktoi reagime në Tiranë, ndërsa ministri Hoxha kishte deklaruar se nuk kishte asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë.

Në këtë kontekst, takimi i Hoxhës me homologun malazez në Bled vjen si një sinjal për uljen e tensioneve dhe riafirmimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Përmes një postimi në X, Hoxha e përshkroi takimin si konfirmim të marrëdhënies së mirë mes dy vendeve, duke theksuar se Shqipëria dhe Mali i Zi janë fqinjë të mirë, partnerë të besuar dhe aleatë në NATO, si dhe vende në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Gjithçka qetë në këtë anë të frontit të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Hoxha pas takimit.

Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria do të vazhdojë të investojë në bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe stabilitetin, lidhshmërinë dhe kontaktet mes qytetarëve, duke i paraqitur këto si bazë për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane. /Telegrafi/