Shqipëri-Kosovë bëhen një, mijëra qytetarë në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së
Ka nisur në sheshin “Skënderbej” të Tiranës protesta e thirrur nga ish-udhëheqësit e UÇK-së, me moton “Liria ka emër”, në mbështetje të ish-krerëve politikë dhe ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të paraburgosur në Hagë.
Mijëra protestues nga të gjitha trojet kombëtare, shumë prej tyre të ardhur nga Kosova me flamuj kuqezi dhe flamuj të UÇK-së, janë mbledhur në shesh për të shprehur solidaritetin e tyre.
Tubimi hapet me himnin kombëtar
Tubimi, i cili ka mbledhur mijëra qytetarë të ardhur masivisht nga Kosova dhe diaspora, hapi dyert me intonimin e Himnit Kombëtar, duke përcjellë mesazhin e unitetit dhe solidaritetit.
Ish-presidenti Moisiu i bashkohet protestës
Protesta mbarëkombëtare “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, e cila nisi në Sheshin “Skënderbej” me ekzekutimin e Himnit Kombëtar, po vijon me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve dhe figurave të rëndësishme politike. Në shesh ka mbërritur edhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili është një nga folësit e paralajmëruar.
Endrit Thaçi në mes të protestës në Tiranë
Teksa protesta mbarëkombëtare “Liria ka emër” ka nisur në Sheshin “Skënderbej”, vëmendja është fokusuar edhe tek pjesëmarrja e familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së të paraburgosur.
Në mesin e mijëra qytetarëve të mbledhur në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, është parë edhe djali i ish-presidentit Thaçi, Endrit Thaçi.
Ai është kapur nga syri i kamerës duke buzëqeshur mes protestuesve. Prania e tij shërben si një simbol mbështetjeje familjare për udhëheqësit e luftës, të cilët ndodhen në Hagë.
Moisiu nga protesta: U takova me krerët e UÇK-së në Hagë, ata janë të burgosur pa prova
Në kuadër të protestës mbarëkombëtare “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të paraburgosur në Hagë, fjalën e parë e mbajti ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Moisiu zbuloi se, së bashku me ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, si dhe ish-kryeministrin Pandeli Majko, ai kishte realizuar një vizitë personale te të paraburgosurit në Hagë.
“Nga këta burra kuptova dhe pashë se ata nuk ishin të frikësuar, por ishin të qetë për të mbrojtur luftën e UÇK-së nga njollat e hedhura nga ata që nuk u duan të mirën shqiptarëve,” tha Moisiu, duke shtuar bindjen se drejtësia do të bëjë detyrën e saj në krahun e “katër vëllezërve të UÇK-së”.
Ish-presidenti theksoi rolin e mbështetjes ndërkombëtare për luftën e Kosovës, duke përmendur NATO-n, SHBA-në dhe Perëndimin.
“Zyrtarët amerikanë që po dëshmojnë në Hagë, po sjellin prova se ata janë të pafajshëm. Ata nuk ishin kriminelë, por udhëheqës të lirisë,” apeloi Moisiu.
Në mbyllje të fjalës së tij, Moisiu kërkoi unitet mbarëkombëtar.
“Është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin për të mbrojtur sakrificat e njerëzve tanë. S’mund të pranojmë të nëpërkëmbet gjaku i heronjve të UÇK-së.”
Keçi: UÇK nuk ishte organizate kriminale, drejtësia ndërkombëtare nuk mund të mbyllë sytë
Kryetari i Shoqatës “Tirana”, Rushdi Keçi, në fjalën e tij gjatë tubimit në mbështetje të UÇK-së, i zhvilluar në sheshin “Skënderbej” se drejtësia ndërkombëtare nuk duhet dhe nuk mund të qëndrojë e verbër përballë së vërtetës historike që lidhet me luftën për çlirim të Kosovës.
“Jemi këtu për të nderuar gjakun e dëshmorëve që me sakrificën e tyre i dhanë jetës lirisë së Kosovës. Tirana ndër vite ka qenë djepi i i mirëpritjes dhe bashkimit kombëtar. Sot jemi mbledhur këtu në Tiranë, për të nderuar luftën e shenjtë dhe të drejtë të UÇK. Tirana ka qenë mikpritëse, i ka hapur zemrën çdo shqiptari që ka ardhur nga çdo trevë. Në 1999, Tirana u bë dritë shpresë, qytetarët e saj pritën mijëra kosovarë. Tirana tregoi se është kryeqyteti i shpirtit shqiptar. Nga kjo tokë, dolën bij që iu bashkuan UÇK. Midis tyre, është dëshmori Skerdilajd Lagami. Emri i tij do të kujtohet përjetësisht si shembull i guximit. Sot, teksa nderojmë dëshmorët, nuk mund të mos ngremë zërin edhe për vëllezërit e UÇK, që mbahen padrejtësisht në burgun e Hagë-s. UÇK nuk ishte organizate kriminale por ushtri e një populli te shtypur qe luftoi me dinjitet dhe liri. Nuk janë kriminel por simbole te lirisë dhe qendrës shqiptare, dhe drejtësi nuk mund të mbyllë sytë përballë të vërtetë”, tha Keçi.
Gucati: Sot i thërrasim ndërgjegjes sonë kombëtare. Gjykata Speciale ka humbur çdo besim te shqiptarët
Në protestën gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se shqiptarët nuk do të heshtin më ndaj krimeve serbe të kryera në Kosovë.
Si një ndër organizatorët kryesorë, ai iu drejtua protestës me mijëra pjesëmarrës në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke theksuar se proceset në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerë, janë të padrejta dhe se viktima po barazohet me xhelatin.
“Ne sot po protestojmë, por të ngremë zërin për drejtësi. Jemi këtu për të mbrojtur luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të mbrojtur gjakun e derdhur për liri dhe për të mbrojtur nderin e çlirimtarëve tanë. UÇK-ja nuk ka nevojë të dëshmojë se ka qenë ushtri çlirimtare. Këtë e ka dëshmuar historia, populli, varret e dëshmorëve të kombit, bota mbarë. Bota mbarë pa në sytë e vet krimet serbe në Kosovë. Sot, përmes kësaj Gjykate po gjykohen jo krimet, por fajtorët si popull. Po përpiqen të barazojnë viktimën me xhelatin. Po duan të njollosin luftën tonë të shenjtë. Ne nuk do ta pranojmë këtë.
Nuk do ta lejojmë të përdhosin emrin e komandantëve tanë. Nuk do të heshtim kurrë për këtë histori të popullit tonë. kjo protestë nuk ka lidhje me politikën. Kjo është protestë e popullit shqiptar në zemrat e shqiptarëve. Ne nuk po kërkojmë mëshirë. Po kërkojmë drejtësi, barazi para ligjit dhe para historisë. Ne e gjykojmë qartë që Gjykata Speciale e ka humbur çdo besim te shqiptarët. Proceset që po bëhen në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta. Kjo protestë është thirrja e ndërgjegjes sonë kombëtare,” u shpreh Gucati.


