Please enter at least 3 characters.

Shkëndija e Tetovës, Bashkimi dhe Arsimi fitojnë miqësoret

Ekipet shqiptare të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut po vazhdojnë me intensitet ndeshjet kontrolluese në kuadër të përgatitjeve dimërore, në prag të fillimit të sezonit pranveror, njofton Telegrafi.

Kampioni i vendit, Shkëndija e Tetovës, ka shënuar fitore të rëndësishme në përgatitjet që po i zhvillon në Antalia të Turqisë. Kuqezinjtë triumfuan ndaj ekipit të Sarajevës me rezultat 3:2. Skuadra boshnjake kaloi e para në epërsi me golin e Beganoviqit në minutën e 12-të, por Shkëndija reagoi shpejt. Besart Ibraimi barazoi nga pika e bardhë në minutën e 16-të, ndërsa në minutën e 33-të realizoi golin e dytë personal për përmbysje të rezultatit. Në pjesën e dytë, Spahiu në minutën e 56-të shënoi për 3:1, ndërsa Sarajeva arriti vetëm të ngushtojë rezultatin në 3:2, duke vendosur edhe shifrat përfundimtare të takimit.

Fitore bindëse ka shënuar edhe Bashkimi i Kumanovës, i cili po zhvillon përgatitjet në Medulin të Kroacisë. Bashkimi mposhti ekipin kroat Prva Iskra Bariq me rezultat të thellë 5:2. Golat për kumanovarët i realizuan David Manasievski, Luis Ribeiro si dhe Arnel Hoxhiq, i cili shënoi tre herë. Ndeshjen e radhës kontrolluese në Medulin, Bashkimi do ta zhvillojë ndaj ekipit rumun Muscelul.

Ndërkohë, ekipi i Arsimit zhvilloi një ndeshje miqësore në shtëpi, ku e mposhti skuadrën e Teteksit me rezultat 4:1. Golat për Arsimën u shënuan nga Malik Bejuli, Sikiru Olatunbosun, Shefit Shefiti dhe Remzifaik Selmani. Arsimi tashmë ka përfunduar fazën bazike të përgatitjeve, të cilat i zhvilloi në Medulin të Kroacisë, ndërsa së fundmi ka prezantuar edhe përforcimet e reja: futbollistin me përvojë Xhelil Abdulla, si dhe reprezentuesin e Ugandës, Bajo, i cili vjen si huazim nga skuadra e Vardarit. /Telegrafi/