Please enter at least 3 characters.

Shkencëtarët arrijnë një zbulim historik - atmosferë për herë të parë në një planet "të banueshëm"

Astronomët kanë zbuluar për herë të parë një atmosferë rreth një planeti shkëmbor që ndodhet në zonën e banueshme të yllit të tij.

Bëhet fjalë për një “super-Tokë” të quajtur LHS 1140 b, dhe ky zbulim përbën një hap të rëndësishëm në kërkimin e botëve që mund të jenë të përshtatshme për jetë. Deri më tani, atmosferat ishin zbuluar vetëm te planetët gjigantë të gaztë, shkruan ScienceAlert.

Kërkimi për botë të banueshme bazohet në dy kritere kryesore: planeti duhet të ketë përbërje të ngjashme me Tokën dhe të jetë në një distancë nga ylli i tij që lejon ekzistencën e ujit të lëngshëm, shkruan sciencealert.

“Është hera e parë që dikush ka gjetur një atmosferë në një planet shkëmbor në zonën e banueshme të një ylli tjetër”, tha Collin Cherubim, shkencëtar planetar në Universitetin e Harvardit dhe autori kryesor i studimit të publikuar në revistën Science.

Matjet tregojnë se LHS 1140 b ka një masë rreth pesë herë më të madhe se Toka dhe një rreze 1.7 herë më të madhe. Kjo tregon se ai ka përbërje shkëmbore, por dendësia më e ulët se ajo e Tokës sugjeron praninë e një atmosfere të hollë dhe ndoshta të një sasie uji.

Planeti është një objekt ideal për studim, pasi ndodhet vetëm rreth 50 vite dritë larg Tokës. Ai rrotullohet rreth një xhuxhi të kuq, i cili është shumë më i vogël dhe më i ftohtë se Dielli dhe ka rreth një të pestën e masës së tij.

“Para 20 vitesh pyesnim nëse ekzistonin fare planete të tjera të tipit tokësor. Më pas zbuluam se ato janë të zakonshme dhe gjetëm disa në zonën e banueshme. Pyetja tjetër ishte nëse ndonjëri prej tyre kishte arritur të ruante atmosferën. Tani e dimë se të paktën njëri prej tyre po”, tha Robin Wordsworth nga Universiteti i Harvardit.

Cherubim më herët kishte parashikuar se LHS 1140 b mund të kishte një atmosferë të pasur me helium. Për këtë ai krijoi një model kompjuterik që analizonte proceset e humbjes së masës së planetëve.

Modeli tregoi se planetët në distancën e duhur nga ylli i tyre mund të humbasin hidrogjenin, por të ruajnë heliumin, duke krijuar një atmosferë ku dominon ky gaz.

“Unë i quaj këta planetë ‘botë të pasura me helium’. Mendoj se mund të mos jenë aq ekzotikë, por një hap natyror në evolucionin e shumë planetëve të vegjël. Doja ta testoja këtë parashikim dhe kërkova helium që po largohej nga planeti – dhe e gjeta”, tha Cherubim.

Për të konfirmuar parashikimin, studiuesit përdorën spektrografin WINERED në observatorin Las Campanas në shkretëtirën Atacama të Kilit.

Ata vëzhguan LHS 1140 b dhe një planet fqinj gjatë një nate në shtator të vitit 2024, kur të dy trupat kaluan përpara yllit të tyre.

Duke analizuar dritën që kalonte përmes atmosferës së planetit, shkencëtarët mundën të përcaktonin se cilat gjatësi vale absorboheshin nga gazrat.

Ata zbuluan se LHS 1140 b, ndryshe nga planeti fqinj, tregonte shenja të një atmosfere me helium që po largohet në hapësirë me shpejtësi prej qindra mijëra kilogramësh në sekondë.

Ky proces mund të shkaktohet nga erërat diellore të yllit ose nga ndërveprimi magnetik mes planetit dhe yllit. Megjithatë, fenomeni duket se ndryshon me kalimin e kohës, pasi nuk u vërejt gjatë një vëzhgimi tjetër në vitin 2025.

Një nga aspektet më të rëndësishme të zbulimit është fakti se LHS 1140 b ka arritur të ruajë atmosferën e tij për më shumë se tre miliardë vjet, edhe pse xhuxhët e kuq njihen për aktivitetin e tyre të paqëndrueshëm.

“Planeti merr nga ylli i tij rreth 42 për qind të energjisë që Toka merr nga Dielli”, shpjegoi Cherubim.

“Edhe pse gjatë historisë së tij është ekspozuar ndaj niveleve më të larta të rrezatimit rëntgen dhe ultravjollcë, që zakonisht shkatërrojnë atmosferat e planetëve shkëmborë, ai ka ruajtur një pjesë të heliumit që ndoshta e ka marrë gjatë formimit të tij”, pohoi ai.

Shkencëtarët tani do të përqendrohen në analiza të mëtejshme për të zbuluar nëse planeti ka oqeane ose karakteristika të tjera që mund të mbështesin jetën.

Fakti që ky zbulim u bë me një teleskop në Tokë tregon se edhe observatorët tokësorë kanë rol të rëndësishëm në studimin e atmosferave jashtë sistemit diellor, krahas teleskopëve hapësinorë si James Webb (JWST).

“Ky ishte një konfirmim i modelit dhe shpresoj se është vetëm i pari nga shumë vëzhgime të ardhshme”, përfundoi Cherubim. /Telegrafi/