Please enter at least 3 characters.

SHBA sekuestron tankerin e dytë të Venezuelës, reagon Maduro

Venezuela ka akuzuar SHBA-në për një "akt flagrant piraterie", pasi Roja Bregdetare e SHBA-së sekuestroi një cisternë të dytë nafte në brigjet e vendit të Amerikës së Jugut këtë muaj.

Administrata e presidentit Donald Trump ka rritur për muaj të tërë presionin mbi qeverinë e Venezuelës dhe udhëheqësin e saj autoritar, Nicolás Maduro.

Uashingtoni e ka quajtur Maduron një "narkoterrorist", duke pretenduar se ai kryeson rrjetet e trafikimit të paligjshëm dhe ka ofruar 50 milionë dollarë për informacionin që çon në arrestimin e tij.

Një fushatë sulmesh amerikane në Karaibet jugore dhe Paqësorin lindor ka vrarë gati 100 persona në anije të dyshuara për trafikim droge, sipas shifrave të administratës, ndërsa grumbullimi i madh ushtarak pranë Venezuelës është ka rritur presionin mbi Karakasin.

Trump tha të martën se do të vendoste një "bllokadë totale dhe të plotë të cisternave të naftës të sanksionuara" që hyjnë ose dalin nga Venezuela, dhe tha se vendi ishte "i rrethuar nga armata më e madhe e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut".

Karakasi ka thënë vazhdimisht se presioni i SHBA-së mbi vendin lidhet me rezervat e mëdha të naftës të vendit.

Hija e SHBA-së mbi Venezuelën është parë prej kohësh si një mënyrë për të detyruar ndryshimin e regjimit në vend, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio u tha gazetarëve të premten se "qëllimi i SHBA-së është të ndryshojë atë dinamikë" në Karakas.

Kristi Noem, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, tha të shtunën se Roja Bregdetare kishte sekuestruar një anije që ishte ankoruar për herë të fundit në Venezuelë në një "aksion para agimit".

Departamenti i Sigurisë Kombëtare mbikëqyr Rojën Bregdetare të SHBA-së.

Ajo tha se SHBA-të do të vazhdojnë të ndalojnë "lëvizjen e paligjshme të naftës së sanksionuar që përdoret për të financuar narkoterrorizmin në rajon".

Noem tha se Pentagoni, i cili ka kryer fushatën e sulmeve të SHBA-së mbi anijet e dyshuara për trafik droge që nga fillimi i shtatorit, ndihmoi në operacion.

Ministria e Jashtme e Venezuelës tha se "denoncon kategorikisht dhe refuzon vjedhjen dhe rrëmbimin e një anijeje të re private që transporton naftë venezuelase, si dhe zhdukjen me forcë të ekuipazhit të saj".

Karakasi tha se "akti serioz i piraterisë" "nuk do të mbetej pa u ndëshkuar", duke shtuar se do të paraqiste ankesa në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe organe të tjera. /Telegrafi/