Please enter at least 3 characters.

Sergio Ramos prezanton ofertën për blerjen e aksioneve të klubit të madh spanjoll

Sevilla ka qenë prej disa muajsh në bisedime për ndryshimin e pronësisë së klubit, por këtë javë situata ka marrë një kthesë të papritur – drejt Sergio Ramosit.

Mbrojtësi veteran raportohet se është përfshirë drejtpërdrejt në bisedimet për marrjen në dorë të klubit ku u formua si futbollist.

Ramos u rrit te Sevilla përpara se të transferohej te Real Madridi dhe për shumë vite pati një marrëdhënie të tensionuar me tifozët e klubit të fëmijërisë së tij.

Megjithatë, ai duket se i rregulloi këto marrëdhënie gjatë rikthimit të dytë te Sevilla, i cili përfundoi 18 muaj më parë, pas një sezoni të vetëm në ‘Ramon Sanchez Pizjuan’.

Deri së fundmi, dukej se një konsorcium amerikan ishte në pozicionin më të favorshëm për të marrë në pronësi klubin, me Antonio Lappi dhe Fede Quintero në krye të ofertës.

Megjithatë, pas kryerjes së raportit të verifikimit financiar mbi Sevillën, oferta ka rënë nga 3.4 mijë euro për aksion në vetëm 2.7 mijë euro për aksion, siç raportohet nga Muchodeporte dhe është përcjellë nga Diario AS. Si pasojë, besohet se negociatat janë bllokuar.

Pas raportimeve fillestare se Sergio Ramos kishte shprehur interes për t’u bërë investitor minoritar te Sevilla, Cadena Cope zbulon se në fakt Ramos po udhëheq grupin e tij të investimit për të marrë kontrollin e klubit dhe tashmë ka paraqitur një ofertë zyrtare për aksionarët.

Kjo ofertë rezulton të jetë më e larta e bërë deri tani, ndërsa grupi i investitorëve ka vendosur besimin e plotë te Ramos për të qenë fytyra dhe zëri i projektit të ri./Telegrafi/