Serbia thotë se ka arrestuar një shqiptar pasi iu gjetën flamuj të UÇK-së dhe me Adem Jasharin
Autoritetet serbe kanë arrestuar një shtetas të Shqipërisë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, bëri të ditur se anëtarët e Ministrisë së Brendshme në Prokuple, në bashkëpunim me Doganat e Serbisë, kanë arrestuar D.P. (1972) nga Shqipëria.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa më pas Prokuroria e Lartë Publike në Prokuple pritet të paraqesë aktakuzën ndaj tij.
Në komunikatën e Ministrisë serbe thuhet se, gjatë kontrollit të një furgoni në pikëkalimin kufitar të Merdarës, që lidh Kosovën me Serbinë, Policia ka gjetur pesë çanta me materiale që mbajnë simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në to, sipas autoriteteve serbe, janë gjetur “22 bluza, 244 flamuj, 86 kapele me mbishkrimin UÇK, 65 triko me figurën e Adem Jasharit dhe Agim Ramadanit, 58 shalla me stemën e Shqipërisë dhe 92 kapele” me emblemën e UÇK-së.
“Dyshohet se këto ishin planifikuar të përdoreshin dhe ekspozoheshin në ndeshjen që do të mbahet në Leskovc mes ekipeve të futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Ndeshja Serbi–Shqipëri do të zhvillohet më 11 tetor në Leskovc, duke filluar nga ora 20:45, në kuadër të Grupit K për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026, ku bëjnë pjesë edhe Letonia, Andorra dhe Anglia.
Takimi i parë mes dy kombëtareve, i zhvilluar në qershor në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, përfundoi pa gola. Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e dytë me 8 pikë, ndërsa Serbia ndjek në vendin e tretë me 7 pikë.
Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar se për arsye sigurie biletat për këtë ndeshje nuk do të jenë në shitje publike, por do të shpërndahen vetëm përmes kanaleve zyrtare të komunitetit të futbollit, shkollave, klubeve dhe sponsorëve.
Vendimi është arsyetuar me “përvojën e keqe” të vitit 2014, kur ndeshja mes dy ekipeve në Beograd u ndërpre pasi mbi stadiumin e Partizanit u shfaq një dron me mbishkrimin “Autoktonë” mbi një hartë të “Shqipërisë së Madhe”, duke shkaktuar përleshje mes lojtarëve dhe tifozëve.


