Serbët shohin anën e mirë dhe të keqe te Kastrioti
Përfitimi më i madh i skuadrës kosovare nuk pritet të jetë as nga aspekti sportiv e as politik, por nga ai financiar.
Ekipi kosovar pritet të insistojë që të luajë në Ferizaj për çka ekipi serb nuk është i gatshëm. Dhe, kur EHF-ja të vendosë që ndeshjet të luhen në terren neutral, të gjitha obligimet për të dy ndeshjet do t'i barteshin ekipit serb.
Klubi serb i hendbollit Radniçki nga Kragujevci, ndeshjen kundër Kastriotit të Ferizajt e ka cilësuar me rrezikshmëri të lartë. Në njoftimin e publikuar në uebfaqen zyrtare të klubit Radniçki thuhet se ndeshja kundër Kastriotit në kuadër të rrethit të dytë të "Challenge Cup", është e përshtatshme në aspektin sportiv, duke aluduar në cilësinë e dobët të skuadrës kosovare, por e papërshtatshme nga aspekti politik për shkak të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kjo ka shtyrë krerët e klubit të meshkujve nga Serbia, që të kërkojnë që ndeshjet të zhvillohen në terren neutral, gjë që nuk e dëshirojnë zyrtarët e Kastriotit. Skuadra ferizajase thotë se do të insistojë deri në fund, që ndeshjet të zhvillohen në Kosovë e Serbi.


