Please enter at least 3 characters.

Rrota e diplomacisë vetëmohuese

Marrëdhënie diplomatike dhe fqinjësi të mirë me të gjitha ato vende dhe popuj ballkanikë, por vetëm mbi bazën e reciprocitetit të popujve, jo të interesave dhe të privilegjeve të ngushta të diplomatëve dhe të politikanëve në dëm interesit të përgjithshëm të popujve.

Më 15 janar 2010, u dha lajmi zyrtar nga krye-diplomati përkthyes i Rugovës, se Kosova ka lidhur marrëdhënie diplomatike me Malin e Zi.

Lajm shumë i gëzueshëm ky për politikanët dhe për diplomatët e Prishtinës dhe të Podgoricë, jo për shqiptarët e Kosovës, as për shqiptarët nën Mal të Zi, sepse nuk është në interesin e tyre të ndërsjellë, kur është fjala për njohjen dhe respektimin e plotë të drejtave dhe lirive të tyre reciproke.

Mirëpo, ky gëzim nuk zgjati disa orë ngase “tifozëve sportivë” të tij, që kanë përgatitur valixhet e tyre diplomatike drejt Malit të Zi, kryetari i Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ua prishi disponimin momental, duke deklaruar se: “Unë gjithsesi nuk do t’i nënshkruaj aktet e shkëmbimit të ambasadorëve derisa bashkësia nacionale malazeze të pranohet qartë si pakicë, dhe t’i sigurohet përfaqësim autentik në pushtetin e Kosovës”. (www.radioevropaelire.org, 15.01.2010).

Kërkesa absurde të presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, që malazezëve kolonistë në Kosovë, t’u njihet statusi i pakicës, ashtu sikurse pakicës serbe etj., nuk është kurrfarë befasie, por vetëm përsëritje e kërkesës së para do ditshme pikërisht nga presidenti Filip Vujanoviq, të cilën kanë pasur rast ta lexojnë dhe ta shqyrtojnë edhe krerët e politikës dhe të diplomacisë së Kosovës.

Mirëpo, me gjithë këtë kërkesë provokuese të presidentit Filip Vujanoviq, Prishtina dhe Podgorica shkëmbyen instrumentet e tyre formale për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Me gjithë shpalljen dypalëshe të vendosjes diplomatike midis Kosovës dhe Malit të Zi, kërkesa e njëkohshme e presidentit malazias, Filip Vujanviq, do të ndërlikojë dhe problematizojë marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve derisa Kosova, të mos e njoh “pakicën malazeze”.

Ndërkaq, në anën tjetër, kjo kërkesë, do të zbutë qëndrimin negativ të Beogradit, në mënyrë që, të mos vinte deri te prerja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, ashtu siç ka paralajmëruar “demarshi” i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë për tërheqjen e ambasadorit serb nga Podgorica, si rrjedhim i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike të Malit të Zi me Kosovën, më 15.01.2010.

Antidiplomacia e boshtit shqiptar!

Së pari, Tirana dhe Prishtina, do të duhej t’i zgjidhnin problemet e të gjithë shqiptarëve në Ballkan, duke i integruar në një shtet të përbashkët, e pastaj, të lidhnin marrëdhënie diplomatike, ekonomike dhe tregtare me vendet kolonialiste dhe imperialiste sllave të Ballkanit.

Kjo, do të duhej të ishte strategjia e drejtë, afatgjatë, pragmatike dhe e dobishme për shpëtimin dhe mbrojtjen e interesit të përgjithshëm kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë.
Ndryshe, përfundimi i deritashëm i lidhjeve dhe i marrëdhënieve diplomatike të Tiranës dhe të Prishtinës me vendet fqinje sllave, ka vetëm karakter biznesi politik, ekonomik, tregtar të karriestëve dhe të mafiozëve të ndryshëm politikë shqiptarë dhe serbosllavë. Zhvillimi i një politike dhe diplomacie të tillë nuk është në funksion të pajtimit, të bashkëpunimit,të ingreimit, as të afrimit të popujve të Ballkanit.

Me një fjalë, pavarësisht se çfarë rëndësie ka vendosja e marrëdhënieve diplomatike të një vendi me ndonjë vend tjetër, duke përfillur standardin e interesit të reciprocitetit, sipas së drejtës ndërkombëtare, lidhja e marrëdhënieve diplomatike të Tiranës dhe të Kosovës me vendet kolonialiste sllave ballkanike, nuk është në interesin jetik reciprok të koekzistencës, të paqes dhe të bashkëpunimit të mirëfilltë të popujve të tyre, por të biznesit të bartësve të diplomacisë dhe të politikës drejtuese, në emër dhe për interes të tyre.

“Kryediplomatët” dhe “kryepolitikanët” e Tiranës dhe të Prishtinës po mashtrohen duke ushqyer iluzione të shkreta, se kinse, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetet kolonialiste serbos-sllave, domethënë vetëm me bekimin dhe me pëlqimin e tyre, “ më lehtë, do ta zgjidhin” statusin kolonial të shqiptarëve, të cilët qe 100 vjet ndodhen nën sundimin e tyre të egër dhe gjenocidal.

Një rezonim dhe veprim i këtillë i të ashtuquajturave elita politike dhe diplomatike të sotme shqiptare, është gabim fatal, sepse deri tani, askund në botë, nuk ka ndodhur që shtetet kolonizatore vullnetarisht, të japin bekimin dhe pëlqimin për shkolonizimin domethënë vetëvendosjen dhe pavarësimin e kolonive të tyre.

Ndaj, as Mali i Zi, as Maqedonia, as Serbia, as Greqia kurrë nuk do japin bekimin, as pëlqimin e tyre formal, që shqiptarëve t’u njihet e drejta historike mbi territoret e tyre dhe e drejta e vetëvendosjes, që të jetojnë si një komb dhe si një shtet i lirë dhe i njësuar në Ballkan.

Në vend se, Tirana dhe Prishtina të dalin sa më parë me platformën e tyre strategjike për bashkimin e Kosovës dhe të Shqipërisë, titullarët e tyre vrapojnë si lypësi pas zotërisë, që së pari, të integrohen me Beogradin, me Podgoricën, me Shkupin dhe me Athinën.

Pavarësisht nga interesat afatshkurtra të politikës dhe të diplomacisë ditore të Tiranës dhe të Prishtinës, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet fqinje, ku shqiptarët ende janë nën sundimin e tyre të egër kolonialist, është një tradhti sui generis edhe ndaj historisë, edhe ndaj shqiptarëve, edhe ndaj Shqipërisë Etnike.

Po të kishte ekzistuar një diplomaci e mirëfilltë shqiptare, as Tirana e as Prishtina, nuk do të duhej të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Podgoricën, derisa të mos zgjidhej përfundimisht dhe drejtësisht statusi autonomisë politike të shqiptarëve të Malësisë së Madhe nën Mal të Zi.

Mirëpo, duke qenë se nuk ekziston një politikë dhe një diplomaci e tillë, e njësuar kombëtare dhe shtetërore shqiptare në Ballkan, Tirana dhe Prishtina, duke cenuar thellë interesin e përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror shqiptar kanë lidhur marrëdhënie diplomatike edhe me Malin e Zi, edhe me Maqedoninë.

Nga kjo politikë dhe, nga kjo diplomaci fatkeqe shqiptare, do të përfitojnë më së shumti serbët, malazezët dhe maqedonasit në rinkofirmimin e interesave të tyre të derisotme kolonialiste dhe neokolonialiste në kurriz të vetëvendosjes dhe të bashkimit të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike.

Ndërkaq, më së paku, do të përfitojnë shqiptarët dhe Shqipëria Etnike, sepse “përbishtimi” i një politike dhe, i një diplomacie të tillë, nuk është në interes të drejtpërdrejtë të tyre, por të politikanëve dhe të diplomatëve vasalë shqiptarë.