Rritje alarmante e rasteve të gonorresë dhe sifilisit në Evropë
Të dhëna të reja tregojnë një rritje shqetësuese të rasteve të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme në Evropë, veçanërisht të gonorresë dhe sifilisit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), këto infeksione kanë shënuar rritje të ndjeshme në shumicën e vendeve evropiane, duke arritur nivele rekord në vitet e fundit, shkruan bbc.
Sipas të dhënave për vitin 2024, numri i rasteve të gonorresë është rritur në 106.331, që përfaqëson një rritje prej 303 për qind krahasuar me vitin 2015. Në të njëjtën kohë, numri i rasteve të raportuara të sifilisit është më shumë se dyfishuar, duke arritur në 45.557 raste.
Rritja e rasteve lidhet me disa faktorë, përfshirë ndryshimet në sjelljen seksuale, uljen e përdorimit të prezervativëve, si dhe rritjen e testimeve që kanë çuar në zbulimin e më shumë rasteve të infeksioneve.
Raportet tregojnë se gonorrea ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë dekadës së fundit, ndërsa edhe sifilisi po rritet në mënyrë të qëndrueshme, duke ngritur shqetësime te autoritetet shëndetësore për komplikimet serioze që mund të shkaktojnë këto sëmundje nëse nuk trajtohen në kohë.
Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se, pa masa më të forta parandaluese dhe ndërgjegjësim më të madh, trendi i rritjes mund të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. /Telegrafi/


