Rrëfimi i refugjatëve në Itali: Trenat e zbrazur, janë hoteli ynë! (Foto)
"Aty jemi të mbrojtur nga moti i keq dhe është mjaftueshëm nxehtë", thotë Nassi.
Punonjësit e hekurudhave nganjëherë posaçërisht hapin dyert në mënyrë që refugjatët mund të flenë në tren.
Nassi vjen nga Republika e Afrikës Qendrore. Ky 34-vjeçar kishte ikur për shkak të Luftës Civile atje. Në janar ai erdhi me barkë në Sicili. Nga atje ai udhëtoi për në Milano.
Kohët e fundit ai është në posedim të një leje qëndrimi. Megjithatë, Nassi është i frustruar. Kur ai kishte marrë letrat nga qendra e azilit, atij nuk i ishte siguruar ndonjë vendstrehim, transmeton Telegrafi.
"Ishte një goditje", thotë Nassi. Ai tanimë nuk ka ndonjë përkrahje. "Ndjehem i braktisur nga autoritetet".
Që atëherë, Nassi ka fjetur në stacion të trenit. Ndonjëherë në strehimore, por aty numri i shtretërve është shumë i kufizuar dhe sipas tij, "çdo natë ju duhet të ri-aplikoni për një shtrat".
Me dokumentet e reja, ai ka edhe leje pune për në Itali. Por, Nassi thotë se nuk ka punë. Ai gjithashtu nuk tregon nëse ka kërkuar punë. Thotë se edhe nuk din të flas italisht, raportojnë mediat zvicerane.
Nassi ditë për ditë pasdite qëndron ulur në stacion, duke pritur që të ndodhë diçka. Për të, gjë është e qartë: "Në rast se nuk gjej një punë këtu në Itali, do të udhëtoj diku tjetër".
Ai mendon se autoritetet italiane e kanë për detyrë të kujdesen për të.
"Në qoftë se Italia do të kujdesej për ne, ne nuk do kishim nevojë të flemë në stacion”.
Si Nassi flenë edhe disa refugjatë të tjerë - kryesisht burra nga Afrika. Gjatë ditës ata rrinë së bashku në grupe të vogla të shpërndarë në sheshin e madh para stacionit. Të rinj nga Gambia, Senegali, Sierra Leone dhe Guinea, transmeton Telegrafi.
Ndër ta është edhe Abdoul. 47-vjeçari vjen nga Mali dhe kohëve të fundit kryesisht ka fjetur rrugëve. Që nga muaji shkurt ai është në Itali. Ai kishte një vend në një qendër azili, por që nga skadimi i afatit të qëndrimit në Itali, ai fle në stacionin hekurudhor. Abdoul kishte ardhur në Itali duke shpresuar për një jetë të re.
"Unë dua të qëndroj dhe të punoj këtu", thotë ai.
Kërkesa e tij për azil ishte refuzuar nga autoritetet, Abdoul kishte apeluar dhe shpreson në një vendim pozitiv në takimin e ardhshëm të autoriteteve vendimmarrëse: "Pa dokumente, s’të beson askush këtu”, thotë ai.
Ai zakonisht qëndron bashkë me dy kolegë nga Senegali.
"Ne jemi si një familje", thotë Abdoul. "Askush nuk dëshiron të jetë tregtar droge ose kriminel, por jeta në rrugë të detyron të bëhesh edhe kriminel". /Telegrafi/


