Please enter at least 3 characters.

Rrëfimi i Branislav Sinadinovskit, shqiptarit ortodoks: Ja si u asimiluam në maqedonas (Video)

2016/01/rr-euml-fimi-i-branislav-sinadinovskit-shqiptarit-ortodoks-ja-si-u-asimiluam-n-euml-maqedonas-video_hd.jpg

“Unë gjithmonë jam ndjerë dhe kam qenë shqiptar. Kjo sepse përkatësia kombëtare, sipas të gjitha kushtetutave në botë, është ndjenjë intime dhe as unë nuk kam pasur nevojë që ta manifestoj publikisht. Për herë të parë në një libër timin kushtuar Josif Bagerit, para katër a pesë vjetësh, u hetua dhe publikisht se përkatësia dhe prejardhja ime e babait dhe gjyshes time dhe e paraardhësve të mi të afërt e më të largët është shqiptare dhe se jemi shqiptarë ortodoksë”, thotë Sinadinovski.

I pyetur se si është e mundur që të mos flet shqip, Sinadinovski thote se është e mundshme.

“Nuk jam vetëm unë, por ka dhe shumë shqiptarë që janë të rëndësishëm në historinë bashkëkohore shqiptare e që nuk dinin shqip apo që nuk folnin mirë shqip. Konkretisht për veten time do të them se krejt rrethanat e dyzetepesë vjetëve të fundit ndikuan dhe nuk munda të kontaktoj me motrat dhe vëllezërit e mi shqiptarë që jetonin jashtë vendit dhe për këtë kjo është arsyeja themelore. I ri u largova, dhe u ktheva vetëm pas shpërbërjes së Jugosllavisë”.

66 vjeçari që për shumë vite jetoi në Lindjen e Mesme, rrëfen në Info Magazine të Klan Kosovës historinë personale për asimilimin e shqiptarëve ortodoks nga Maqedonia.

LEXO PO ASHTU:Gjyshja më thoshte, “djali i dadës”: Kërcënohet Sinadinovski, sepse e tha të vërtetën

“Them se është bërë presion i caktuar për asimilim. Është ndjekur dhe babai im, që kishte dhe një dosje të madhe policore, pavarësisht se ishte profesor universitar. Janë ndjekur nga Policia dhe më shumë njerëz të mi të afërm e pak më të largët. Është fakt se gjithë shqiptarët ortodoksë të Rekës e të gjithë Republikës së Maqedonisë së tashme e të kohës kur ishte pjesë e Turqisë otomane, i janë nënshtruar fillimisht dukurisë së asimilimit të fuqishëm që në kohën e Turqisë otomane e të Serbisë, pastaj nga bullgarët . Megjithatë, shqiptarët ortodoksë të kësaj ane janë fenomen botëror, se përkundër asimilimit të madh e të fuqishëm, kanë arritur që ta ruajnë gjuhën e tyre amtare”.

Thotë se edhe vetë është një rast i tillë, ndonëse e pranon se i ati dhe gjyshërit kanë folur vetëm shqip.

Për çudi të shumëkujt, ai është themelues i partisë VMRO-DPMNE, subjektit politik të kryeministrit aktual të Maqedonisë Nikola Gruevski.

Deklarimeve, por edhe librave të publikuara ia pa sherrin, kur rrëfen se u sulmua fizikisht në shtëpinë e tij nga persona të panjohur.

Edhe përkundër kërcënimeve dhe sulmeve, ky promovues i vlerave të shqiptarëve ortodoksë thotë se nuk frikësohet për vete, por për familjen e tij.

Sipas Sinadinovskit janë rreth 75 mijë shqiptarë ortodoks vetëm në Maqedoni. Madje, sipas tij, shumë të tillë shërbejnë edhe nëpër funksione të rëndësishme në institucionet në Shkup. 

Shqiptarë ortodoksë, sipas Sinadinovskit, ka edhe në Kosovë, kryesisht në mesin e goranëve tek zona e Dragashit. Të cilitdo vend qofshin, Sinadinovski i quan gjithë shqiptarët vëllezër dhe motra.

Ai thotë se është krenar me prejardhjen e tij, kur deklaron se do të iniciojë edhe themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare të Maqedonisë, pavarësisht kundërshtimeve të palës maqedonase.

Detajet tjera rreth rrëfimit rrëqethës të Sinadinovskit mund t'i ndiqni në intervistën e plotë më poshtë në video, nga minuta 21:54, të dhënë për televizionin Klan Kosova: