Riorganizimi i Qeverisë përfundoi, këto janë ministrat e rinj
Kuvendi, në seancën e 112-të, mbrëmë votoi për riorganizimin e Qeverisë, gjatë së cilës u zgjodhën tetë ministra të rinj. Të gjithë kandidatët morën mbështetjen e 69 deputetëve, pa asnjë "kundër" ose "abstenim".
Ministria e Drejtësisë do të drejtohet nga Jeton Shasivari, profesor universitar dhe doktor i së drejtës kushtetuese dhe administrative. Ai është profesor i rregullt në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, anëtar i Komisionit të Venedikut si zëvendëspërfaqësues i shtetit dhe ligjërues në Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë.
Agon Ferati është zgjedhur si Ministri i ri i Marrëdhënieve mes Komunitete. Ai ka Master në Administrim Biznesi dhe ka qenë këshilltar për menaxhimin e projekteve evropiane në Komunën e Tetovës, me përvojë si ekspert në integrimin evropian.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të drejtohet nga Sedat Sulejmani, i cili më parë ishte zëvendësministër në të njëjtin departament. Ai ka shumë vite përvojë në administratën publike dhe sektorin privat, dhe arsimin e lartë e ka marrë në Universitetin Uludag në Bursa të Turqisë.
Borçe Serafimovski, ish-Sekretari Shtetëror në ministri, u zgjodh si Ministër i ri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Ai ka diplomë në mbrojtje, diplomë master në marrëdhënie ndërkombëtare dhe kandidat doktorature në shkenca organizative, ndërsa në karrierën e tij ai ishte gjithashtu Drejtor i Përgjithshëm dhe Zëvendëskryetar i Bordit të Drejtorëve të Universitetit Ndërkombëtar Sllav në Sveti Nikole.
Ministria e Shëndetësisë do të drejtohet nga Sasho Klekovski, i cili vjen nga pozicioni i Drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Ai është mjek me profesion dhe gjithashtu ka diplomë MBA. Në karrierën e tij, ai mori pjesë në përgatitjen e disa strategjive kombëtare, punoi në projekte për forcimin e institucioneve dhe ishte lektor universitar dhe kolumnist.
Gjoko Velkovski është zgjedhur Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Ai më parë ka shërbyer si Zëvendësministër në të njëjtin dikaster, ndërsa më herët më parë ka shërbyer si Ministër i Punës dhe Politikës Sociale në qeverinë teknike. Velkovski është ekonomist i diplomuar me shumë vite përvojë në administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale.
Ivan Stoilkoviq është zgjedhur Ministër i Vetëqeverisjes Lokale, pasi më parë ka shërbyer si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Marrëdhënieve Ndër-Komunitete. Ai ka më shumë se dy dekada përvojë parlamentare dhe është i diplomuar në drejtësi me trajnime shtesë në fushën e sigurisë dhe komunikimeve strategjike.
Erxhan Demir, i cili më parë ishte koordinator kombëtar për krijimin dhe monitorimin e strategjive dhe politikave kombëtare për komunitetet jo-shumicë, është zgjedhur ministër pa portofol. Ai është ekonomist i diplomuar me shumë vite përvojë në sektorin publik, sektorin joqeveritar dhe kompanitë private.
Me zgjedhjen e ministrave të rinj, Kuvendi zyrtarisht përfundoi riorganizimin e Qeverisë së udhëhequr nga Kryeministri Hristijan Mickoski.


