Please enter at least 3 characters.

Rikthim në fëmijëri: Gjesti prekës i Federatës Holandeze për futbollistët para Kupës së Botës

Përfaqësuesja e Holandës është grumbulluar për të nisur përgatitjet për Kupën e Botës 2026, e cila fillon më 11 qershor, ndërsa futbollistët u pritën me një surprizë të veçantë nga Federata Mbretërore Holandeze e Futbollit (KNVB).

Në qendrën stërvitore të kombëtares, secili lojtar mori si dhuratë fanellën e klubit të parë ku kishte hedhur hapat e parë në futboll.

Bashkë me fanellën, KNVB kishte përgatitur edhe një mesazh emocional për futbollistët.

“Përshëndetje! Urime për përfshirjen në listën e Kupës së Botës! Ëndrra jote e fëmijërisë nisi dikur te (emri i klubit). Aty hodhe hapat e parë në fushën e futbollit, u dashurove me lojën dhe nise rrugëtimin drejt Oranje. Në emër të të gjithë kolegëve në KNVB, të urojmë shumë sukses në Kupën e Botës”, thuhej në mesazh.

Mes lojtarëve që morën këtë dhuratë simbolike ishte edhe Justin Kluivert, i cili u surprizua me fanellën e klubit amator De Dijk, aty ku nisi karrierën e tij futbollistike.

Kapiteni Virgil van Dijk mori fanellën e WDS ’19 (Willibrordus Demos Sportvereniging ’19), klubit amator nga Breda, qyteti i tij i lindjes.

Ndërkohë, sulmuesi Wout Weghorst u pajis me fanellën e RKSV NEO nga Borne, emri i të cilit vjen nga shprehja latine “Nomen Est Omen” (“Emri flet vetë”).

Ky gjest i veçantë i federatës holandeze synon t’u kujtojë futbollistëve rrugëtimin e gjatë që kanë bërë, nga fushat fillestare deri te pjesëmarrja në skenën më të madhe të futbollit botëror, Kupa e Botës 2026. /Telegrafi/