Rihapet kalimi kufitar i Rafah-ut, fillon faza e dytë e armëpushimit
Kalimi kufitar i Rafah-ut midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit është rihapur sot "në një bazë prove", tha Izraeli.
Kalimi kufitar kishte qenë pothuajse plotësisht i mbyllur për më shumë se dy vjet, transmeton Telegrafi.
Sipas COGAT, njësisë ushtarake izraelite përgjegjëse për administratën civile në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, kalimi kufitar po përgatitet përpara një operacioni më të gjerë si pjesë e fazës së dytë të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të midis Izraelit dhe grupit islamist palestinez Hamas.
Banorët palestinezë të Gazës do të lejohen të kalojnë nëpër kalim sapo të përfundojnë përgatitjet, tha COGAT në një deklaratë.
Kreu i komitetit të ri palestinez që qeveris çështjet e përditshme të Gazës, tha se kalimi kufitar do të hapet në të dy drejtimet duke filluar nga e hëna.
Një mision i BE-së do të mbikëqyrë daljen dhe hyrjen, ndërsa do të shoqërohet edhe nga oficerë palestinezë të sigurisë, tha një zyrtar egjiptian për agjencinë e lajmeve AP, ndërsa shtoi se edhe ambulancat kanë hyrë në pjesën egjiptiane të kalimit kufitar të Rafah-ut.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se rreth 20,000 palestinezë presin kujdes mjekësor jashtë Rripit të Gazës të shkatërruar nga lufta, përfshirë fëmijë, me mijëra palestinezë të tjerë që shpresojnë të kthehen në shtëpi, të cilët ende presin mundësinë për të udhëtuar.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se 50 pacientë do të lejohen të largohen nga Gaza në ditë.
Rreth 50 persona do të lejohen të hyjnë në Rripin e Gazës në ditë. Izraeli dhe Egjipti do të jenë përgjegjës për verifikimin e atyre që hyjnë dhe dalin, ndërsa kalimi kufitar do të mbikëqyret nga agjentë të patrullave kufitare nga Bashkimi Evropian.
Nëse pilot projekti është i suksesshëm, numri i njerëzve që kalojnë nëpër kalim pritet të rritet me kalimin e kohës. /Telegrafi/


