Rezultatet dhe renditja pas javës së 31-të në Ligën e Parë: Dinamo dhe Vushtrria kryesojnë, gara mbetet e ndezur për pozitat e para
Janë zhvilluar ndeshjet e javës së 31-të në Ligën e Parë të Kosovës, ku liderët vazhduan garën e fortë për kreun, ndërsa mbijetesa duket se tani është qartësuar.
Lideri Dinamo mori një fitore me rikthim ndaj Suharekës, duke fituar 3-2, me dy gola në fund. Fitore mori edhe Vushtrria që triumfoi ndaj Prizrenit me 3-2, ndërsa Feronikeli ’74 fitoi ndaj Istogut me 3-1, për ta mbajtur presionin në krye.
Vëllaznimi mori tri pikë të mëdha në udhëtim duke e mposhtur Tefik Çangën me 2-1, ndërsa edhe Liria fitoi në shtëpi minimalisht ndaj Besës së Pejës.
Trepça fitoi si mysafire ndaj KEK-ut me 3-1, kurse 2 Korriku triumfoi si mysafir ndaj Vjosës me 2-0.
Në një tjetër duel me rëndësi, Rilindja 1974 mposhti Kikën me 2-0.
Renditja pas javës së 31-të
Pas 31 ndeshjeve, Dinamo kryeson me 68 pikë, por ndjekja është shumë e afërt Vushtrria që ka 66 pikë. Dy ekipet e para ngjite direkt në elitë.
Feronikeli ’74 ka 65 pikë, ndërsa Vëllaznimi është vetëm një pikë prapa me 64 pikë, në pozitat tre dhe katër, që dërgojnë në barazh. Pas tyre vjen Liria me 62 pikë dhe Trepça ’89 me 61 pikë, që presin gabimet e ekipeve më lartë, çka e bën garën për kreun dhe zonën e barazhit jashtëzakonisht të ngushtë.
Në mesin e tabelës, Ramiz Sadiku mban vendin e shtatë me 47 pikë, ndërsa më poshtë renditen Suhareka (38), Tefik Çanga (37) dhe Trepça (34).
Kika (33), Rilindja 1974 (32), Vjosa (32), Istogu (31), 2 Korriku (30) dhe Besa Peja (29) janë të ngjeshura me pikë, por duket se e kanë siguruar qëndrimin në Ligën e Parë, pasi KEK-u (21) dhe Prizreni (19) me një këmbë janë në ligën e Dytë. /Telegrafi/


