Rexhepi: Projekti 18-milionësh i Bulevardit në Gjilan hyn në fazën kryesore
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit Flakron Rexhepi ka njoftuar se projekti i Bulevardit dhe Administratës së re Komunale ka hyrë në fazën më intensive të realizimit.
Sipas tij, pas përfundimit të ndërhyrjeve të para infrastrukturore dhe përgatitjes së brezit qendror, projekti po vazhdon me një dinamikë të shtuar në terren.
Rexhepi ka bërë të ditur se janë përmbyllur koordinimet e nevojshme administrative dhe teknike, duke siguruar vazhdimin e punimeve sipas planit të paraparë.
Projekti, me vlerë rreth 18 milionë euro, parasheh krijimin e një bulevardi modern me hapësira të gjelbra, parkingje nëntokësore dhe infrastrukturë bashkëkohore për qytetarët e Gjilanit.
Ai ka theksuar se puna do të vazhdojë me përkushtim për realizimin e këtij investimi të rëndësishëm për qytetin. /Telegrafi/


