Real Madridi merr një vendim radikal në lidhje me Endrick
Futbollisti brazilian Endrick po lë gjurmë te Olympique de Lyon që nga ardhja e tij me huazim nga Real Madrid.
Së fundmi, ai realizoi tre gola në fitoren 5-2 ndaj Metz, duke shënuar hat-trick-un e parë në karrierën e tij.
Pas ndeshjes, sulmuesi u shpreh i lumtur: “Është hera e parë që realizoj tre gola në një ndeshje. Jam shumë i kënaqur. Ka qenë një ndeshje e mrekullueshme. Do të mbaj topin në shtëpi si kujtim”.
Që nga debutimi te Lyon, Endrick ka shënuar katër gola dhe ka dhënë një asistim në vetëm tri ndeshje, duke treguar qartë potencialin e tij në futbollin francez.
Trajneri Paulo Fonseca theksoi: “Është një lojtar që ka kuptuar stilin tonë të lojës. Është shumë i fortë teknikisht dhe i dobishëm edhe në aspektin mbrojtës. Jam i kënaqur, dhe ai mund të përmirësohet akoma më shumë”.
Real Madrid ka vendin e tij të sigurt
Sipas raportimeve nga ‘Defensa Central’, drejtuesit e Real Madridit janë shumë të kënaqur me zhvillimin e Endrick te Lyon.
Huazimi i tij ishte vendosur nga klubi, por më e rëndësishmja është se Real Madridi ka rezervuar një vend për të në ekipin e sezonit të ardhshëm.
Lyon nuk ka opsion blerjeje për brazilianin, që do të thotë se nuk mund ta mbajnë as për një sezon tjetër.
Klube të tjera që e ndjekin nuk duhet të presin, Endrick do të rikthehet në Madrid.
Para kthimit në ‘Bernabeu’, nëse vazhdon me performancat e mira, ai mund të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara për të luajtur me Brazilin në Kupën e Botës nën drejtimin e Carlo Ancelottit. /Telegrafi/


