Raphinha zbulon prapaskenat: Kisha dy oferta nga klubet e Londrës para kalimit te Barcelona
Raphinha ka zbuluar se transferimi i tij te Barcelona në verën e vitit 2022 erdhi mes interesimit të fortë nga disa klube të Ligës Premier, me skuadrat londineze që ishin veçanërisht të vendosura për ta mbajtur në Angli.
Duke folur për “TNT Sports Brasil”, 29-vjeçari pranoi se kalimi te blaugranët nuk ishte aspak i thjeshtë, pasi gjatë kohës sa ishte pjesë e Leeds United, në garë për nënshkrimin e tij ishin përfshirë disa klube të mëdha angleze.
“Kisha oferta nga një ekip blu dhe gjithashtu nga një ekip i kuq nga Londra, por vendimi më i mirë i karrierës sime ishte nënshkrimi me Barcelonën”, u shpreh Raphinha, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për Chelsea dhe Arsenal.
Braziliani në fund zgjodhi të transferohet te gjiganti katalanas, ku që prej atëherë është kthyer në një pjesë të rëndësishme të skuadrës.
Ndërkohë, Raphinha po refuzon oferta të çmendura nga Arabia Saudite, vetëm që të qëndrojë te Barcelona, me të cilët ëndërron ta fitojë Ligën e Kampionëve.
Përndryshe, objektivi aktual është Kupa e Botës, me lojtarin që është pjesë e listës së Carlo Ancelottit për kompeticionin, i cili do të fillojë në muajin qershor./Telegrafi/


