Rama i përgjigjet akuzave të opozitës: Çnjerëzore të luash me të vdekurit
Përmes një deklarate të ngarkuar me fjalë kundër opozitës, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave të ditëve të fundit, sipas së cilave “vdekjet zyrtare prej pandemisë janë fshehur”.
Kryeministri fillimisht tha se ndihej krenar nga reagimi i qytetarëve pas dy fatkeqësive që prekën vendin njëri-pas-tjetrit, siç ishin tërmeti i 26 nëntorit 2019, apo pandemia, ndërsa më pas sulmoi ashpër opozitën dhe Presidentin duke i konsideruar “pakica të zhurmshme” që “bëjnë sehir” përballë pandemisë së COVID-19.
Rama tha se është anti-demokratike fakti se Presidenti dhe opozita kanë ngritur “komitete paralele ekspertësh” që japin rekomandime të kundërta me ato të qeverisë duke mos e ndihmuar aspak situatën.
Ai dënoi ashpër rrjedhjen dhe publikimin e fotove “klandestine”, siç i quajti ai, të fotove nga morgu i QSUT-së për të mbështetur “politikën mbi të vdekurit”.
“Si mundet të ngacmohet deri në këtë pikë psikika e një populli të trazuar nga pandemia,” – tha Rama ndërsa më tej theksoi se tashmë punonjësit e shëndetësisë janë ngarkuar “në mënyrë të pamerituar” me hije dyshimi për punën e tyre.
Rama mohoi kategorikisht fshehjen apo manipulimin e numrit të viktimave duke i bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat anti-Covid dhe të kontribuojnë për të shmangur një mbyllje tjetër.


