Qeveria miraton shpronësimet për përmirësimin e infrastrukturës ujësjellës dhe rrugore në Gjilan
Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar vendime të rëndësishme për shpronësimin e pronave në Gjilan, duke hapur rrugën për investime kapitale në infrastrukturë ujësjellësi dhe rrugore.
Një vendim kryesor është ai për projektin FLLOWS, i cili synon të përmirësojë rrjetin kryesor të ujësjellësit në komunë.
Projekti, me një vlerë prej 15 milionë eurosh, financohet nga Banka Botërore dhe Ndërmarrja Rajonale për Ujësjellës “Hidromorava”, dhe ka si qëllim reduktimin e humbjeve teknike, të cilat aktualisht arrijnë 52%, si dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për qytetarët, përcjell Telegrafi.
Një tjetër vendim i rëndësishëm është shpronësimi i pronave për Qarkoren e Jashtme të Gjilanit, një investim i përbashkët i ministrisë dhe komunës në vlerë 27 milionë euro, i cili do të lidhet me rrugët kryesore të qytetit.
Po ashtu, Qeveria ka nisur shqyrtimin e vendimit preliminar për Qarkoren e Vjetër të qytetit, për Llotet 1 dhe 2, duke siguruar avancimin e rrjetit rrugor dhe qarkullimin më të lehtë në zonat urbane.
Këto vendime synojnë të përmirësojnë infrastrukturën kritike dhe të rrisin standardin e jetesës për qytetarët e Gjilanit, duke mundësuar zhvillim më të qëndrueshëm dhe lidhje më të mira rrugore brenda qytetit. /Telegrafi/


