Please enter at least 3 characters.

Pushtuesi, pushtimi dhe pushteti

Ilustrim

Grremçit, ulur mbi një cung të kalbur ahu, nuk i shkonte mendja për kolegun që iu kishte afruar nga pas. Kishte kohë që ai në mendjen e tij po bluante diçka për origjinën e fjalës pushtet. Nuk e nxirrte dot origjinën e fjalës pushtet nga asnjë gjuhë e njohur deri tash. Kishte hapur shumë fjalor të fjalëve me orgjinë të huaj dhe kudo lexonte shpjegime të ndryshme me të cilat nuk shuante kërshërinë e tij për të kuptuar se si e kopjuan aq shumë popuj këtë fjalë dhe secili prej tyre e interpreton siç i konvenon. I thelluar për shumë kohë për të gjetur rrugën e depërtimit të fjalës pushtet në gjuhën shqipe, dhe si u kopjua aq mirë nga pushtetarët e sotëm nuk po i binte dot në fije. Një ditë, në mbrëmje, pasi kishte mbyllur librarinë, kishte harruar edhe rrugën e zakonshme kah kthehej në shtëpi.

Qeshte me zë atë mesdite të bukur vjeshte, kur para tij ishte shfaqur Ziu me mahitë e tija, brenda të cilave shpeshherë fshihej edhe ndopak tertip. Ai për të fshehur ndonjë ves të zakonshëm plaku, gjithmonë e sillte bisedën për diçka krejt abstrakte, në mënyrë që pastaj, me bast, kafetë t’i paguante Grremçi.

-Më trego pse qeshe pak pa ardhur unë këtu?- e kishte pyetur Ziu.

-Është rrëfim pleqërie, o Zio!-kishte folur Grremçi.

-Mbrëmë e kam humbur rrugën kur doja të kthehem në shtëpi. Shkova andej drejt Zezës. As nuk kisha kuptuar që kam ecë me kilometra, kur pranë meje ndaloi një makinë e policisë. Më pyeten se ku po shkoj dhe unë ju përgjigja që po kthehem në shtëpi. Ju tregova edhe çka punoj! Ata me pyeten në cilën lagje e ke shtëpinë dhe unë ju tregova. Qeshen me të madhe që të dy. Pastaj më treguan se isha duke shkuar drejt Zezës.

-Bardha është andej mbrapa teje!-foli njëri polic.

-U ndala, i habitur. Po të mos me merrnin me makinë për të me dërguar në shtëpi, nuk do mund kthehesha këmbë deri pas mesnate. Bile i falënderova që me dërguan deri në derë të oborrit. Sigurisht kanë menduar se mund ta humbi rrugën serish. E si mos ta humbi rrugën në këtë kohë o Zio?- iu kishte drejtuar shoku shokut.

Sa idealistë qemë kur ishim të rinj?-vazhdoi të fliste me njëfarë vetëkritike, Grremçi. Diçka ka marr teposhtën, apo ndoshta vetëm neve po na duket kështu.

Atë ditë vjeshte me diell, Grremçi e Ziu, si zakonisht, ulur në oborr të bibliotekës kishin kaluar disa orë pa vërejtur diellin, që kishte perënduar e kishte filluar të ngrysej.

Sa pyeste njëri, sa përgjigjej tjetri. Tema ishte e njëjtë:

Pushtuesit, pushtimi, pushteti!

Ziu e pyet Grremçin se çka është pushtuesi?

Grremçi i përgjigjët: Pushtuesi është sikur pushteti!

Unë besoj se kjo fjalë na mbeti nga pushtuesit e njëpasnjëshëm. Ata ikën pasi plaçkitën çdo gjë që mund të plaçkitej. Sa duket zijoshët as që kishin menduar ndonjëherë të kenë çfarëdo pushteti, por ja që pushteti u erdhi në dorë edhe zijoshëve tanë. Me shekuj, sa kalëronin kësajde pushtuesit e huaj, zijoshët kënaqeshin më ndonjë punë shërbëtori fare të papërgjegjësi. Kënaqeshin me një pagë të vogël, por që u shërbente për lavde të mëdha se ata po punuakan diçka në hyqymet. Vetë “panduri” ( lloj postieri i komunës në kohen e krajlit serb, vishej me njëfarë uniforme për tu dalluar nga bashkëfshatarët), sa herë kalonte nëpër fshat ua fuste friken gjithë zijoshëve, sepse ai kurrë nuk sillte ndonjë letër gëzimi, por vetëm thirrje për të paguar dikush ndonjë dënim.

Mund të habitet dikush e të pyet si kanë ardhur aq pushtues dhe kanë pushtuar e kanë sunduar Zezën me shekuj? Përgjigje për këtë pyetje mos kërko nga zijoshët, sepse ata të paren fjalë e kanë lavdin për trimëritë e tyre luftarake që kanë bërë në shërbimet e pushtuesve të huaj.

Ziu kishte një metodë të rëndë shpjegimi, por edhe kur i binte trup, prapë nuk kuptohej lehtë se çka thoshte. Kur fillonte të filozofonte, zor që kuptonte dikush diçka nga ato fjalë e fjali pa pikë e presje. Vetëm Grremçi dhe Ziu kishin gjetur diçka të përbashkët, apo vetëm shtiheshin sikur e kuptonin njëri tjetrin.

-Për ta pushtuar një vend, pushtuesi paraprakisht, patjetër duhet të kishte njohuri për shumë gjera kapitale që ka ai vend?-mendonte Grremçi. Shumë kohë para pushtimit të një vendi, pushtuesi me siguri ka dërguar me qindra emisarë, specialistë të të gjitha fushave të jetës për të kuptuar mirë e mirë se ku po e dërgon ushtrinë.

-Kush kalëronte këndej para së të vinte ushtria pushtuese? -pyeti Grremçi Ziun, sikur të ishte para ndonjë provimi.

Kjo pyetje e linte pa gjumë Grremçin me net të tëra. Sa ishte i ri, ai kishte përsiatur për tema të mëdha, siç është pushtimi i një vendi e një populli, siç kishte ndodhur me vendlindjen e tij-Zezën, por asnjëherë nuk kishte kuptuar asgjë të besueshme.

I shkoi mendja Grremçit të tregtarët! Ata kalërojnë në të katër anët e botës!- mendonte me një dozë dyshimi?! Nëse tregtarët nuk arrijnë vetë në një qytet të largët, prej nga vjen malli, ata blen apo këmbejnë mallin me mall edhe diku mes rrugës. Sidoqoftë, ata kthehen me kuaj ngarkuar me mallin e dëshiruar.

-Nuk këmbejnë ata vetëm mall dhe ari! Jo jo! – Grremçi i jepte vetë përgjigje pyetjes që kishte shtruar për Ziun

-Këmbejnë ata edhe informacione të rëndësishme për pushtuesin e e imagjinuar ( të ardhshëm të Zezës). Zijoshët, shumë herë u tregojnë të huajve për gjera të rëndësishme, të cilave vetë nuk ua dinë vlerën. Tregojnë edhe sekrete për pak pare apo, thjeshtë për krekosje. Sido që ta analizosh këtë punën e tregtisë, edhe pa kurrfarë vetëdije, tregtarët duke synuar vetëm fitimin, domosdo vihen në shërbim të pushtuesit të vjetër ( apo të ardhshëm).

- Kuptojnë ata e këta edhe shumëçka tjetër që ndodhë nëpër botë. Si arrin mëndafshi nga Kina e largët?-pyeste vetën Grremçi.

Ndjente zagushi kur paramendonte sa larg është Kina, por mëndafshin e gjenin blerësit kudo nëpër hanet e kohës edhe në Zezë. Pastaj mendonte për gjithë ato prodhime që tregtarët i sillnin në shitore e që as emrat e tyre nuk ua dinin. Po pambuku nga na vjen? Po agrumet mesdhetare? Po qilimat e Persisë, basmat e pëlhurat e Damaskut, apo hurmat e Jemenit?- kush i sillte ato? Nuk ishin të paditur ata që e quanin vetën tregtarë, por që realisht merreshin edhe me shumë punë e marifete të tjera të dëmshme për Zezën. Të gjitha këto e shumë të tjera i kishin parë e shijuar qysh herët zijoshët dhe nuk kishin mësuar asgjë prej gjëje. Tregtarët zijoshë kishin ndërmend vetëm fitimin.

-Mos vallë këta të ashtuquajtur tregtarë në fshehtësi financoheshin edhe për ndonjë detyrë me të cilën i ngarkonte ndonjë tregtarë tjetër me mision krejt tjetër?

- Grremçi, edhe shitësin e akullorëve me bucelë mbi shpinë duke ngarendur fund e krye Zezës, e paramendonte si të ngarkuar për ndonjë mision të zi.

-Po aq shumë faltore kush i ndërtoi? Kush i financoi ato ndërtime? Kush i paguan gjithë ata hoxhallarët, priftëri, popët, dervishët e hafëzët që mbajnë ligjërata nëpër objektet fetare? Kush i solli dhe nga erdhën ata? Mos pikëm nga qielli? Tubohet mileti rreth tyre sikur mizat në m.t. Askush nga mileti ynë nuk flet asgjë, thuajse janë memec. Këta farë ligjëruesish kanë depërtuar në çdo pore të jetës në Zezë. Madje ata flasin e lexojnë diçka në ndonjë defter në gjuhë të huaj, dhe pastaj i përkthejnë ato fjalë në gjuhen e zijoshëve që i dëgjojnë, dhe të gjithë mahniten me ato rrëfime, pa kuptuar kurrë se çfarë fshihet pas atyre fjalive. Shumëkush nga mileti i tubuar, qanë me lot nga fjalët e këtyre klerikëve të të gjitha besimeve, pa kuptuar kurrë çka flasin e çka përkthejnë.

I kujtohet Grremçit çka nuk kishte parë e dëgjuar gjatë jetës së tij, por tepër vonë kishte filluar të mendonte si erdhën ushtria e huaj dhe kush u printe atyre.

Si është e mundur që secili pushtues që kishte pushtuar Zezën, sillej sikur të ishte lindur e rritur aty?

Vallë mos pushtuesit e kanë studiuar çdo pëllëmbë të tokës së Zezës shumë më herët se të arrinte ushtria pushtuese e cila njihte edhe të gjitha zakonet e zijoshëve?

Çka mund të kenë mësuar vëzhguesit e llojllojshëm që kanë vizituar Zezën kishte përsiatur Grremçi duke mbetur pa gjumë me net të tera.

-Mos vallë janë fajtorë vetë zijoshët që janë fort të prirë me bajt fjalë e me tregua edhe për të gjitha të ligat e tyre me të cilat jetojnë deri në vdekje.

-Ardhacakët po gjejnë konak kudo që i zë nata. Zijoshët u japin bukë të huajve kurdo që kërkojnë, në cilëndo familje. Ata të huajt dinin edhe për të gjitha belatë e zijoshëve. Dinin ata edhe cilat familje jetojnë të ngujuara, cila me cilën janë të hasmëruara.

-Po pse duhet të dinë pushtuesit për marrëdhëniet fqinjësore mes zijoshëve?- pyeste e habitej me veten Grremçi.

Pastaj kujtonte shumë të liga që ka fshati dhe ato shtohen përditë, në vend që të ishin zhdukur deri tash.

Pushtuesit njihen moti. Zijoshët fare pak kanë menduar për ushtritë e huaja që kalëronin nëpër tokat e tyre.

Aspak nuk është me rëndësi origjina e fjalës pushtues sa është me peshë zbulimi i fjalës kadastër, që pushtuesi kishte mbjellë në Zezë. Dhe secili pushtues kishte shkruar në gjuhën dhe alfabetin e tij gjithë dokumentacionin e kadastrit. Për çudi, çdo pushtues i Zezës, kur ishte larguar prej këtu, kishte grabitur me kohë gjithë dokumentacionin e kadastrit.

As kjo fjalë nuk ka aq rëndësi sa fjala pushtet që e dëgjojmë përditë ngado që rendim në punët ditore.

Si u ruajt fjala pushtet nga fjala pushtues e pushtim?.

Si u trashëgua fjala pushtet nga pushtuesi, as kjo nuk është me rëndësi sa trashëgimi i fjalës pushtet nga ata që tash janë në pushtet e të cilët thonë se e kanë çliruar vendin e tyre nga pushtuesi i huaj.

Zijoshi i zakonshëm mund të pyes edhe sot e gjithë ditën, pse këta popujt që gjoja u çliruan nga pushtuesi i huaj, ruajtën fjalën pushtet që e përdorin edhe sot e gjithë ditën, dhe sillen bash si pushtetarët e huaj të deridjeshëm. Popujt e pushtuar kopjuan gjithçka nga pushteti i pushtuesit të huaj sepse zijoshët vetë nuk kishin pasur kurrë organizim shoqëror me ndonjë emërtim tjetër. Madje, për shembull, pushtuesi romak me shekuj sundoi e ndërtoi, preu e griu popuj të tërë, rrafshoi për tokë fshatra e qytete të kohës, zhduku nga faqja e dheut edhe shtete shumë të vjetra, por edhe ndërtoi fortifikata të reja për ushtrinë e vetë. .

Pas shumë shekujsh, Perandoria Romake u kalb nga brenda, por edhe pas rënies së saj përfundimtare la trashëgimi në të gjitha territoret e pushtuara. Si ja doli të emërtonte të gjitha gjallesat dhe bimët në të gjitha tokat e pushtuara, ndërsa popujt e pushtuar edhe sot e gjithë ditën në mjekësi, në drejtësi e ne botanikë përdorin emërtimet latine. Romakët pushtuan shumët toka por dhe ndërtuan diçka me vlerë të madhe e të përhershme. Gati çdo zbulim arkeologjik që ndodhë sot, has në themele romake.

Sa shumë ishin romakët? Ata nuk ishin edhe aq shumë, sa për shembull kinezët, por bën punë të mëdha.

Në tokat e pushtuara, pushtuesi kudo caktonte kufij të niveleve të ndryshme të organizimit shoqëror duke filluar nga rrugët, fshatrat, qytetet, krahinat e rajonet. Emërtuan çdo kodër, fshat, lumë e det.

-Në anën tjetër, zijoshët, gjatë gjithë ekzistencës së tyre, nuk arritën të përcaktojnë as mezhdat e arave dhe kullosave të veta.

Pushtuesi caktonte dhe mblidhte tatime e taksa të ndryshme nga secili njeri a familje që kishte një pasuri të caktuar. Pushtuesi caktonte e zbatonte rregullat e veta ligjore. “E drejta romake” mësohet edhe sot si lëndë mësimore në çdo fakultet juridik. Gjithë terminologjia e mjekësisë akoma përdorët latinisht. Romaket nuk kishin lënë qendër të madhe urbane pa një shkollë të fortë të dijes.

Popujt e pushtuar, sa i përket organizimit shoqëror e administrativ, edhe pas pushtimit romak, bizantin e osman, edhe kur formuan shtetet e tyre nuk arritën kurrë të zbulojnë edhe një fjalë të re që do të përdorej në vend të emërtimit pushtet, që njohim sot. Kur vendasit morën pushtetin u sollën ndaj zijoshëve si çdo pushtues i mëparshëm. Nuk gjeni dot edhe një term në administratë që buron nga gjuha e zijoshëve. Gjithçka është kopjuar nga pushtuesit dhe pushteti i tyre. Madje edhe organizimi territorial e administrativ është kopjuar besnikërisht nga pushtuesi i mëparshëm. Nuk është çudi pse edhe sjelljet e pushtetit të tashëm nuk dallojnë fare nga ata të pushtuesit paraprak. Për korrupsion ishte njohur administrata osmane, dhe ajo sot është kopjuar në tërësi. Për politikë përjashtuese ishte e njohur administrata sllave. Për dallim nga pushteti i mëparshëm përjashtues etnik sllav, pushteti i ri është bërë përjashtues sipas përkatësisë partiake.

true