Punëtorët teknikë në QMF-të e Prishtinës nisin grevë për shkak të vonesës së pagave
Punëtorët teknikë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë kanë hyrë sot në grevë, si pasojë e vonesës së pagave.
Lidhur me këtë situatë, kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka zhvilluar një takim me drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.
Gjatë takimit, drejtori Sadiku ka deklaruar se përgjegjësia për vonesën e pagave bie mbi kompaninë, duke shtuar se greva do të ishte më e përshtatshme të zhvillohej para objektit të kompanisë dhe jo në QMF.
Në këtë bisedë kanë qenë të pranishëm edhe punëtorët teknikë që po mbajnë grevën, si dhe përfaqësues të menaxhmentit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, përfshirë kryeshefen, menaxheren e kontratës dhe kryeinfermieren.
Punëtorët kanë bërë të ditur se nuk do ta ndërpresin grevën deri në ekzekutimin e pagave në llogaritë e tyre bankare. /Telegrafi/


