Punëtorët e Termokos-it kërkojnë ngritje të pagave
Megjithëse kanë bërë kërkesë, që edhe pagat e tyre të rriten ashtu siç ka ndodhur në institucione të tjera, ata nuk e kanë specifikuar se sa për qind duan rritje.
Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokos-it, thotë për KosovaPress se kjo ndërmarrje është në shqyrtim e sipër të kërkesave të punëtorëve dhe se shpejti pritet të merret vendimi për këtë, nëse do të ketë rritje apo jo dhe se kjo varet, nga mundësitë financiare që ka kjo ndërmarrje.
“Nga sindikata e punëtorëve të Termokos-it, ka pasur kërkesa për ngritje të pagave. Nuk janë specifikuar për çfarë ngritjesh, por ka kërkesa në harmoni me ngritjet e fundit, që janë bërë nga Qeveria e vendit dhe kompanitë e tjera. Menaxhmenti i Termokos-it dhe bordi i drejtorëve është duke shqyrtuar këtë kërkesë të punëtorëve dhe varësisht nga mundësitë financiare që ka ndërmarrja, do të vendoset për këtë kërkesë”, theksoi Uka.
Ndryshe, rritjet e fundit që janë bërë në institucionet publike dhe në KEK, kanë bërë që rritje të pagave të kërkojnë dhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike si Termokos, Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” dhe ndërmarrje tjera, të cilat tashmë po presin vendimet e kompanive të tyre, se do të ketë rritje apo jo edhe për ata. /Telegrafi/


