Pudra ju futet në rrudha dhe ju prish grimin? Tri truket që e bëjnë tenin të duket më i lëmuar
Lëvizjet e fytyrës, yndyra natyrale e lëkurës dhe shtresat e tepërta të grimit bëjnë që pudra të mblidhet në rrudha. Ja si ta rregulloni pa e nisur grimin nga e para
Gjatë ditës, fytyra lëviz vazhdimisht, mimika punon, ndërsa lëkura prodhon yndyrë natyrale. Prandaj është normale që grimi të zhvendoset, sidomos rreth rrudhave nazolabiale, poshtë syve dhe në ballë.
Sado kujdes të keni gjatë vendosjes së grimit, nëse pudra nuk aplikohet si duhet, ka shumë gjasa që gjatë ditës të mblidhet në rrudha dhe t’i bëjë ato më të dukshme.
Hapi i parë është përgatitja e lëkurës. Ajo duhet të jetë e hidratuar dhe e butë, sepse kur është e thatë, rrudhat duken më të theksuara dhe çdo produkt qëndron më lehtë brenda tyre.
Zgjidhni pudër që i përshtatet tipit tuaj të lëkurës, sepse vetëm kështu ajo shkrihet natyrshëm me fytyrën dhe qëndron më mirë gjatë ditës.
Si të vendoset pudra që të mos mblidhet
Pudra duhet të vendoset në mënyrë të barabartë dhe më pas të përhapet me një sfungjer të lagësht grimi, duke e shtypur lehtë mbi lëkurë. Qëllimi është që produkti të bashkohet me lëkurën, jo të qëndrojë si shtresë mbi të.
Në fund, fytyra duhet fiksuar me pudër kompakte ose pudër pluhur. Pa këtë hap, grimi rrëshqet më shpejt dhe humb qëndrueshmërinë.
Shkopthi i veshëve për rrudhat rreth buzëve
Rrudhat nazolabiale, ato që shkojnë nga hunda drejt skajeve të buzëve, janë ndër zonat ku pudra mblidhet më shpesh. Kjo ndodh për shkak të mimikës së theksuar dhe yndyrës natyrale që lëkura prodhon gjatë ditës.
Kur vëreni se pudra është mbledhur në këtë zonë, mos e hiqni krejt grimin dhe mos e nisni nga fillimi.
Fillimisht freskojeni lehtë fytyrën me spërkatës fiksues ose ujë termal, në mënyrë që grimi të zbutet. Pastaj tendoseni pak lëkurën dhe me një shkopth për veshë largoni vetëm tepricën e produktit nga vija e rrudhës.
Derisa lëkura është ende pak e lagësht, fiksojeni sërish atë pjesë me një brushë të vogël dhe me shumë pak pudër kompakte.
Në fund, kaloni lehtë me sfungjer grimi për ta njëtrajtësuar sipërfaqen. Sekreti është të mos shtoni shtresa të reja, por të hiqni tepricën dhe ta ktheni grimin në ekuilibër.
Sfungjeri trekëndësh për zonën poshtë syve
Zona poshtë syve është shumë e ndjeshme dhe i thekson lehtë vijat e holla, sidomos kur vendoset shumë produkt.
Punoni gjithmonë me shtresa të holla dhe shpërndajeni grimin me prekje të buta, pa e rënduar lëkurën.
Nëse pudra mblidhet gjatë ditës, fillimisht largoni tepricën e produktit. Më pas përdorni një pudër shumë të imët dhe vendoseni me brushë të butë ose me një sfungjer trekëndësh mikrofibër.
Merrni shumë pak produkt, hiqni tepricën në dorë, shikoni lart, tendoseni lehtë lëkurën dhe përhapeni me prekje të buta.
Sfungjeri mikrofibër ndihmon që zona të duket më e lëmuar dhe jep efekt të butë “blur”. Shmangni shtresat e rënda dhe fiksimin e tepërt, sepse mund t’i bëjnë rrudhat edhe më të dukshme.
Çfarë të bëni nëse mbani syze
Syzet krijojnë fërkim dhe shpesh e largojnë pudrën nga hunda. Nëse e dini se do t’i mbani gjatë ditës, fiksojeni më fort atë pjesë të fytyrës.
Mund ta përdorni këtë teknikë: vendosni pak më shumë pudër pluhur në zonën ku mbështeten syzet, lëreni për pak kohë dhe pastaj largojeni tepricën me brushë.
Një truk tjetër është të vendosni pak pudër edhe në pjesën e syzeve që prek hundën, për të ulur fërkimin.
Efekt edhe më të mirë mund të arrini nëse, para grimit, vendosni pak primer për hije sysh në atë pjesë të hundës. Kjo ndihmon që lëkura të prodhojë më pak yndyrë dhe grimi të qëndrojë më gjatë në vend. /Telegrafi/


