PSG mposht Real Madridin në garën për transferimin e sensacionit argjentinas
Paris Saint-Germaini është shumë afër transferimit të sensacionit argjentinas Franco Mastantuono nga River Plate, pasi Real Madridi ngurroi që ta paguante klauzolën e tij të lirimit.
17-vjeçari pati një preferencë të qartë që t’i bashkohej ‘Los Blancos’, por klubi spanjoll ngurroi që ta paguajë klauzolën e tij të lirimit prej 45 milionë eurosh, diçka që i krijoi avantazh gjigantit francez.
Sipas Fabrizio Romanos, PSG-ja po shtyn që ta kompletojë transferimin e mesfushorit ofanziv, me bisedimet që po vazhdojnë tash e sa javë. Sidoqoftë, një marrëveshje ende nuk është arritur.
Mediumi katalanas Sport ka raportuar se hezitimi i Real Madridit ka të bëjë në lidhje me shqetësimet për ekuilibrin e skuadrës dhe impaktin e mundshëm që do të kishte ky transferim tek talentët si Arda Guler dhe Nico Paz.
Klubi është në dijeni se e kanë stërmbushur skuadrën me profile të ngjashme të lojtarëve, diçka që mund ta pengojë zhvillimin e lojtarëve që tashmë janë pjesë e tyre.
Mastantuono cilësohet gjerësisht si njëri prej talentëve më të mirë në Argjentinë.
Ai ka bërë debutimin e tij me River Platen në moshën 16-vjeçare dhe tashmë ka marrë ftesën nga kombëtarja e Lionel Scalonit.
Mastantuono pritet që të udhëtojë me Argjentinën për ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Kupën e Botës, pasi ka siguruar një vend në kombëtare në një moshë më të re se sa Lionel Messi.
Me PSG-në që tashmë po kryeson garën, fokusi është përqendruar për ta finalizuar marrëveshjen.
River Plate ende nuk ka marrë një ofertë formale, por negociatat pritet që të përshpejtohen gjatë ditëve në vazhdim./Telegrafi/


