Please enter at least 3 characters.

Prizreni e Suhareka në mesin e kampionëve të përputhjes së premtimeve me performancën komunale

Tri komunat që kanë ndërlidhjen më të mirë të premtimeve zgjedhore me treguesit e performancës komunale janë Prizreni, Obiliqi dhe Suhareka.

Instituti GAP dhe Helvetas/Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahje Komunave (DEMOS), bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia, kanë publikuar të enjten raportin “Ndërlidhja e premtimeve zgjedhore me treguesit e performancës komunale”, raporton Telegrafi.

Ky raport, sipas njoftimit, ka për qëllim të tregojë nëse ekziston lidhje ndërmjet premtimeve zgjedhore të kryetarëve të komunave, në 14 komuna të Kosovës, dhe treguesve të Sistemit të Performancës Komunale (SPMK) që është ndërtuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Sipas Institutit GAP, të dy këto procese (premtimet zgjedhore dhe treguesit e SPMK-së) konsiderohen mekanizma kryesor që ndihmojnë në monitorimin dhe vlerësimin e punës së pushtetit lokal në Kosovë.

“Nga krahasimi dhe vlerësimi i 14 komunave, pjesë të këtij raporti, rezulton se nga 800 premtime, 166 apo 21% prej tyre kanë lidhje të plotë ose të pjesshme me treguesit e SPMK, ndërsa 634 premtime apo 79% nuk ndërlidhen në asnjë formë me treguesit e SPMK. Tri komunat që kanë ndërlidhjen më të mirë janë Prizreni, Obiliqi dhe Suhareka, ndërsa tri komunat që kanë lidhjen më të ulët janë Vitia, Klina dhe Drenasi”, thuhet në komunikatë, raporton Telegrafi.

Ndërlidhja mes premtimeve dhe treguesve dhe ndikimi i tyre te granti i performancës, sipas njoftimit jep rezultate të ndryshme të komunat e ndryshme.

“Nga 94 tregues gjithsej në SMPK, 35 prej tyre nuk hasen në asnjë premtim zgjedhor. Kjo ndodh për disa arsye, por kryesisht dominon shkaku se shumica e këtyre treguesve lidhen me procese administrative dhe teknike të menaxhimit komunal, të cilat nuk konsiderohen si "tërheqëse" nga perspektiva e fushatës zgjedhore dhe që do të rrisnin gjasat për marrjen e më shumë votave. Kandidatët për kryetarë të komunave, në vend të premtimeve rreth proceseve të brendshme administrative, zakonisht preferojnë të fokusohen në premtime më të prekshme dhe të dukshme”, thuhet në komunikatë, raporton Telegrafi.

Pas publikimit të raportit ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, duke theksuar se me angazhim janë arritur rezultate në zhvillimin lokal.

“Me punë konkrete dhe serioze, Komuna e Prizrenit ka treguar angazhim të jashtëzakonshëm në lidhje me premtimet zgjedhore, me performancën komunale dhe ka ofruar rezultate pozitive të zhvillimit lokal”, ka bërë të ditur Totaj, duke shpërndarë edhe gjetjet kryesore të raportit në fjalë. /Telegrafi/