Please enter at least 3 characters.

Premtuan lirimin nga paraburgimi përmes ndikimit, arrestohen tre persona në Prizren

2024/07/policia-e-kosoves-foto-ridvan-slivova-780x439-1.jpg

Tre persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit” janë arrestuar pas hetimeve të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren. Në mesin e të arrestuarve është një avokat si dhe një shofer i Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës figuron se hetimet lidhur me këtë rast janë iniciuar nga data 17 mars 2025.

Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka bërë të ditur se tre të dyshuarit janë arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se viktimës i kanë premtuar se do të ndikojnë tek personi zyrtar për lirimin e një të dyshuari nga paraburgimi.

“Sektori Rajonal i Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren me datë 22.05.2025 ka filluar realizimin e operacionit policor për arrestimin e personave të dyshuar për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale "Ushtrim i ndikimit", të cilët në bashkëveprim i kanë premtuar një viktime, se në emër të personit zyrtar do të ndikojnë në vendimmarrje tek personi zyrtar, për lirimin e një të dyshuari nga paraburgimi, i cili është i dyshuar për rastin “Fajdeja””, ka thënë Bytyqi për Telegrafin.

Sipas tij, krahas arrestimit, janë kontrolluar edhe shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve në këtë rast.

“Gjatë operacionit policor i dyshuari nr.1 (i pa punë), i dyshuari nr.2.(shofer ne Gjykatën Themelore ne Prizren) dhe i dyshuari nr.3 (avokat) janë arrestuar dhe shoqëruar në ambientet e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren. Me urdhër të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore ne Prizren, janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet tjera përcjellëse të të dyshuarve dhe gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë”, ka bërë të ditur Bytyqi.

Sipas tij, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

“Të dyshuarit në prezencë të avokatëve mbrojtës janë intervistuar dhe me aktvendim të Prokurorit të shtetit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka thënë Bytyqi. /Telegrafi/