Policia e Kosovës arreston një të dyshuar për deklarim të rremë nën betim
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar një person mashkull kosovar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Deklarimi i rremë nën betim”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka nisur në qershor të vitit 2025, kur i dyshuari, në cilësinë e ankuesit, kishte informuar Policinë e Kosovës se disa persona zyrtarë po i kërkonin ryshfet me qëllim të bartjes së aksioneve në pronësinë e tij, të cilat ai pretendonte se i kishte blerë nga bashkëaksionarët.
Pas pranimit të informatës, Policia e Kosovës, në koordinim dhe me autorizim të prokurorit kompetent, ka ndërmarrë veprime hetimore. Gjatë këtyre veprimeve janë siguruar dëshmi, nga të cilat rezulton se i dyshuari dyshohet se ka deklaruar rrejshëm lidhur me rastin.
Me këto veprime, sipas Policisë, i dyshuari ka konsumuar veprën penale “Deklarimi i rremë nën betim”. Ai është intervistuar më 22.12.2025 në prezencë të avokatit mbrojtës dhe, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.


