Policia amerikane pajiset me automatikun turk SAR 109T - sukses historik
Pushka automatike SAR 109T i prodhuesit turk të armëve "Sarsilmaz" është shtuar zyrtarisht në inventarin operacional të Departamentit të Policisë së qarkut Miami-Dade në Doral, Florida, duke shënuar herën e parë që një automatik turk adoptohet nga një agjenci amerikane e zbatimit të ligjit.
Si një qendër e rëndësishme tregtare dhe diplomatike me kërkesa të larta sigurie, rajoni Doral në jug të Floridas kërkon kapacitete të shpejta reagimi dhe pajisje shumë të besueshme për njësitë policore.
SAR 109T i siguruar së fundmi nga "Sarsilmaz", një automatik kompakt 9 milimetërsh i ndërtuar mbi platformën AR, do të përdoret për këtë qëllim.
Arma përmban një sistem të avancuar kompensimi të zmbrapsjes dhe një amortizator të optimizuar për të ruajtur saktësinë gjatë përdorimit të shpejtë, ndërsa platforma ofron fleksibilitet të gjerë taktik falë tytës 23 cm, trupit të përshtatshëm dhe sistemit "Picatinny" për integrimin e aksesorëve specifik.
Departamenti i Policisë së qarkut Miami-Dade gjithashtu ka nisur procese testimi dhe vlerësimi për disa pistoleta të specializuara të "Sarsilmaz", përfshirë modelet SAR9 SOCOM Compact dhe SAR9 Full Size.
Agjencia po vlerëson serinë SAR9 Gen 3 Frontline, e ndërtuar mbi familjen bazë SAR9, por e modifikuar për të përmbushur nevojat e forcave moderne të rendit.
Platforma e specializuar ofron përparësi taktike si karikator të zgjatur për rimbushje më të shpejtë.
Kryetari i kompanisë "Sarsilmaz", Latif Aral Alis tha se partneriteti i ri dëshmon aftësitë inxhinierike dhe besueshmërinë e kompanisë të njohura ndërkombëtarisht.
“Fakti që produktet tona preferohen nga agjenci të zbatimit të ligjit në tregjet më të rëndësishme të botës sot nuk është vetëm sukses tregtar, por edhe pasqyrim i qartë i përkushtimit tonë ndaj besueshmërisë, cilësisë dhe performancës operative në terren”, tha ai. /AA/


