Përurohet çerdhja e re publike në Fushë Kosovë
Në Fushë Kosovë sot është inauguruar çerdhja e re publike e cila është investim i ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e cila ka koston financiare 415 mijë euro.
Në përurim mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti i cili tha se investimet si kjo në këtë çerdhe do të ofrojnë qasje në kujdes dhe edukim cilësor për secilin fëmijë.
Sipas tij kjo çerdhe do të pres 60 fëmijë në një hapësirë moderne.
Kurti tha se në komunën e Fushë-Kosovës gjatë mandatit të tij qeverisë janë investuar në arsim në vlerë prej 5.6 milionë euro.
“Kjo çerdhe do t’i mirëpres 60 fëmijë në një hapësirë modern prej 750 metra katror investimi është i MASHTI-it në vlerë prej 415 mijë euro dhe janë pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për kujdesin dhe zhvillimin e fëmijëve anë në të gjitha hapësirat…Dua që me juve me këtë rast të ndaj edhe një lajm të mirë që në prag të vitit të ri shkollor jemi duke ndërtuar edhe një çerdhe tjetër publike me vlerë prej 1.2 milionë euro këtu në Fushë-Kosovë e cila në regjistrimin e fundit të popullsisë është komuna me rritjen më të madhe të popullsisë në Kosovë, kjo çerdhe pritet të përfundoj në vitin e ardhshëm 2026 dhe me këto investime të cilat po i realizojmë çdo fëmijë do të ketë qasje në kujdes dhe edukim cilësor”, tha ai.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci tha se ndërtimi i kësaj çerdheje nuk është vetëm infrastrukturë fizike, por një mundësi më shumë për edukim të fëmijëve.
Nagavci tha se edukatoret e kësaj çerdheje kanë përfunduar trajnimet dhe janë të gatshme për punë.
“Nuk janë vetëm infrastrukturë fizike dhe objekte, por janë më shumë mundësi për fëmijët tanë. Përtej investimeve në infrastrukturë fizike jam e lumtur që po zgjidhim problemin e kahmotshëm shumë vjeçar në lidhje me stafin e mësimdhënësve para dy viteve ne kemi miratuar më shumë se 150 norma të mësimdhënësve në mënyrë që të plotësoj nevojat e banorëve të Fushë-Kosovës“, tha ajo.
Pas përurimit të çerdhes në komunën e Fushë-Kosovës u vu edhe gurthemeli për ndërtimin e një shkolle të mesme të ulët. /Kp/


