Përurohen investimet në efiçiencë të energjisë në tri ndërtesa sociale shumë-banesore në Prizren
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se sot janë përuruar investimet e realizuara në tri ndërtesa shumë-banesore sociale në Komunën e Prizrenit, në kuadër të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Ndërtesat Shumë-Banesore Sociale”.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, projekti është i Qeverisë së Kosovës dhe financohet 90 për qind nga Bashkimi Evropian dhe 10 për qind nga Komuna, ndërsa zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Në ceremoninë e inaugurimit kanë marrë pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Hubert Perr, drejtoresha menaxhuese e FKEE-së, Njomza Hoxha, si dhe përfaqësues të Komunës së Prizrenit.
Me këtë rast, përfaqësuesit institucionalë kanë vlerësuar se investimet në efiçiencë të energjisë ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës, uljen e konsumit të energjisë dhe avancimin e objektivave për tranzicion të gjelbër dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Kryeministri Kurti ka thënë se nga realizimi i punimeve në këto objekte do të përfitojnë 51 familje.
“Në total këto ndërtesa kanë 4,855 metra katror hapësirë banimi, brenda të cilave tash ka familje që jetojnë më mirë, fëmijë që rriten në kushte më të mira, prindër që ndihen të sigurt dhe banorë të cilët e shohin se institucioni publik nuk është larg tyre, sepse për ne është e rëndësishme që investimet tona publike të jenë të dobishme për jetën e qytetarëve”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit.
Ndërkaq, ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se këto tri ndërtesa janë pjesë e gjithsej 28 ndërtesave shumë-banesore sociale në 13 komuna, të cilat kanë përfituar nga ky projekt me vlerë totale 6.6 milionë euro.
Edhe shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Hubert Perr, ka theksuar se projekti paraqet një shembull të bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, në mbështetje të përmirësimit të jetesës së qytetarëve, veçanërisht të familjeve në nevojë.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, punimet në këto tri ndërtesa kanë përfshirë izolimin e mureve të jashtme, ndërrimin e dritareve dhe dyerve hyrëse, termoizolimin e kulmit me renovimin e tjegullave dhe vendosjen e shtresave termo dhe hidroizoluese, instalimin e sistemit të ngrohjes me kondicionerë ajri, si dhe punë të tjera përcjellëse, përfshirë renovimin e hyrjeve, vendosjen e interfonisë dhe masat për mbrojtje kundër zjarrit.
Në njoftim thuhet se investimet pritet të ndikojnë në uljen e humbjeve të energjisë, reduktimin e kostove për ngrohje dhe energji elektrike, si dhe në rritjen e efiçiencës së energjisë në objekte.
Vlera totale e investimit në këto tri ndërtesa, sipas Ministrisë, është 458 mijë e 645 euro. Nga projekti kanë përfituar 51 familje, prej të cilave 42 familje udhëhiqen nga gra. /Telegrafi/


