Përtej dyerve të hapura
Epilogu i një bashkëbisedimi me poezinë e Xhevdet Bajrajt
Nga: Zyrafete Shala
1. Qershori si prag
Në rrugëtimin jetësor e krijues të poetit Xhevdet Bajraj, përgjatë një çerek shekulli, muaji qershor kishte marrë përmasat e një pragu që sikur e ndante vitin në dy pjesë. Ishte muaji kur ai përfundonte punën me studentët dhe e braktiste përkohësisht Meksiko-Sitin për t'u kthyer në Kosovë, në Rahovec. Në Rahovecin e fëmijërisë, aty ku gjallëroheshin kujtimet e fjetura, ringjalleshin ëndrrat e brishta, lindnin takime dhe përjetime të reja që gjithnjë kishin në sfond peizazhet me vreshta, oborrin e shtëpisë ku binin rrezet e diellit nëpërmjet gjetheve të hardhisë dhe ambientin e kafeterisë “The Doors”, ku gjithnjë ishte një vend që e priste. Kjo lëvizje periodike ndërmjet dy hapësirave, dy kulturave dhe dy përvojave jetësore, me kalimin e kohës kishte fituar për poetin dimensionin e një rituali, madje të një pelegrinazhi të përvitshëm, që e mbante poetin mes dy poleve të ekzistencës, por njëherësh ushqente damarët më të thellë të poezisë së tij.
Duke folur për këto udhëtime, në biseda me miqtë, ai shpesh shprehej se nisja drejt Kosovës, në qershor, e mbushte me aq ngazëllim, sa i dukej vetja si një fëmijë, ndërsa kthimi në Meksikë i sillte ndjesinë e plakjes së menjëhershme. Në këtë pohim, në dukje të thjeshtë, përmblidhet një nga përvojat themelore të jetës dhe të poezisë së tij: të jetuarit ndërmjet dy botëve, ndërmjet vendlindjes dhe mërgimit, ndërmjet kujtesës dhe përditshmërisë, një gjendje që do të mbetej një nga nyjat më të qëndrueshme të universin të tij poetik...
Por, qershori i vitit 2022 erdhi ndryshe. Këtë herë ai nuk ia solli poetit përjetimin e zakonshëm të kthimit. Udhëtimi i radhës drejt Kosovës do të shndërrohej në kthimin e tij të përhershëm në Rahovec, për t’u prehur pranë prindërve të tij dhe pranë asaj bote njerëzore e shpirtërore që e kishte mbajtur gjallë në kujtesë dhe në poezi gjatë gjithë jetës. Edhe kësaj radhe qershori mbeti një prag, por, ndryshe nga të gjithë qershorët e mëparshëm, ai nuk ndante më Meksikën nga Kosova, mërgimin nga vendlindja apo largimin nga kthimi. Këtë herë, ai u bë pragu ndërmjet jetës dhe vdekjes. Megjithatë, poezia e Bajrajt do të vazhdojë ta sfidojë heshtjen që vdekja duket se imponon. Në të, mungesa shndërrohet në prani, kujtesa i kundërvihet harresës dhe ajo që është humbur vazhdon të jetojë përmes fjalës poetike.
2. Vitet e fundit të krijimtarisë
Kur i shohim vitet e fundit të krijimtarisë së Xhevdet Bajrajt, nga distanca kohore e tanishme, shumë gjëra marrin një kuptim tjetër, e mbi të gjitha intensiteti i të shkruarit. Mund të thuhet se pikërisht në këtë periudhë poeti po kalonte një nga fazat më intensive dhe më frytdhënëse të jetës së tij krijuese. Aq më tepër kur kemi parasysh faktin se, pas viteve të para të pasluftës, Xhevdet Bajraj pati një shkëputje të gjatë nga botimet në gjuhën shqipe, e cila u ndërpre me përzgjedhjen poetike Copa ime e qiellit (Botimet Koha, 2015), për të vazhduar më pas me vëllimin Lëngu i trëndafilave (Botimet Koha, 2017). Që nga ky moment, krijimtaria e tij njohu një intensitet të jashtëzakonshëm: gjatë viteve 2018-2021 ai botoi pesë vëllime të tjera poetike, pa llogaritur përzgjedhjet nga krijimtaria e mëhershme, ndërsa vëllimi i gjashtë, Unaza e Saturnit (Armagedoni, 2022), ndodhej në proces botimi kur vdekja e ndërpreu udhëtimin e tij jetësor. Por, as Unaza e Saturnit nuk do të mbetej libri i fundit i Xhevdet Bajrajt. Në tavolinën e tij të punës kishin mbetur ende dorëshkrime të shumta, përfshirë edhe disa poezi të shkruara nën hijen e sëmundjes. Dorëshkrimin e Angelus Novus, të cilin sapo kishte filluar ta përgatiste për shtyp, ma dërgoi vetëm dhjetë ditë para largimit nga kjo botë, të shoqëruar me një dokument tjetër ku kishte sistemuar poezitë e pabotuara të viteve të fundit. Atëherë nuk desha ta pranoja se në ato faqe ndodhej pjesa e fundit e trashëgimisë poetike që Xhevdet Bajraj po ia linte lexuesit shqiptar.
Pas botimit të vëllimit Angelus Novus (De Rada, 2023), mbetën ende shumë poezi që nuk u përfshinë aty dhe prisnin të zinin vend në një botim të radhës. Megjithatë, vendimi që do të përcaktonte fatin e tyre nuk mund të merrej lehtë. Në mesin e tyre kishte vargje të shkruara vite më parë, të cilat, për arsye të ndryshme, nuk kishin gjetur vend në librat e botuar gjatë jetës së autorit. Kishte edhe variante të poezive tashmë të njohura, që dëshmonin procesin e tij të pandërprerë të rishkrimit dhe përpunimit poetik, por edhe të tjera që dukej se nuk ishin përfunduar ...
Dilema më e madhe nuk lidhej me përzgjedhjen e materialit. Ajo buronte nga vetë përgjegjësia e përgatitjes për shtyp të një libri që do t’i ofrohej lexuesit pa e marrë bekimin e poetit, pa i bërë ‘krehjen’ e fundit dora e tij. Në raste të tilla, çdo veprim duket se rrezikon të bëhet i tepërt, por edhe çdo hezitim mund të bëhet humbje. Heqja dorë nga botimi do të nënkuptonte heshtjen e qindra vargjeve që ende kishin shumë për të thënë, ndërsa botimi kërkonte kujdesin dhe përgjegjësinë për t’ju afruar organizimit final të poezive duke bërë përpjekje për te gjetur metodën e duhur të punës që e përdorte vetë poeti. Pikërisht në këtë hapësirë ndërmjet përgjegjësisë dhe hezitimit, mori formë vendimi për botimin e vëllimit Dyert e burgut janë të hapura, libri që përmbyll ciklin e dorëshkrimeve të fundit të Xhevdet Bajrajt dhe njëherazi kapitullin e fundit të trashëgimisë poetike të njërit prej zërave më origjinalë të poezisë bashkëkohore shqipe.
Janë këto rrethana të pazakonta të lindjes së këtij libri që e përcaktojnë në njëfarë mënyre edhe natyrën e tij, që na fton të shkojmë përtej kureshtjes që zgjojnë dorëshkrimet e fundit dhe të ndalemi në atë që ato dëshmojnë për poetikën e tij në fazën e fundit krijuese. Duke qenë pjesë e së njëjtës fazë të vonë krijuese, poezitë e këtij libri e vazhdojnë, por njëherësh edhe e thellojnë poetikën e shpalosur në Angelus Novus, si për nga motivet që trajtojnë, ashtu edhe për nga mënyra e ndërtimit të ligjërimit poetik. Në to rikthehen disa nga preokupimet themelore të poetikës së Xhevdet Bajrajt, si: liria, kujtesa, atdheu, mërgimi, vdekja, dashuria, arti dhe raporti i njeriut me historinë. Megjithatë, nuk është e vështirë të kuptohet se rëndësia e veçantë e këtyre poezive, përtej motiveve tashmë të njohura, qëndron në mënyrën se si ato rikonfigurohen dhe marrin nuanca të reja kuptimore. Për këtë arsye, vëmendja duhet të përqendrohet pikërisht tek ato shtresa të ligjërimit poetik ku këto tema shfaqen të transformuara nga përvoja e viteve të fundit, si aty ku vdekja fiton një intimitet të ri, ku ndjesia e mungesës së shtëpisë bëhet pyetje identitare, shpesh e shoqëruar nga ajo ironi e hollë që e ka ndihmuar poetin ta përballojë absurditetin e botës dhe realitetit
3. Vdekja si prani e heshtur
Vdekja nuk është një e panjohur në universin poetik të Xhevdet Bajrajt. Ajo e ka shoqëruar poezinë e tij që në fillimet e saj, por në këtë vëllim shfaqet me një afërsi të re, më të qetë dhe më meditative, sikur poeti të kishte hyrë në një marrëdhënie tjetër me të. Në vend të tragjikes së zhurmshme, si gjithnjë, edhe këtu vdekja shfaqet me një afërsi të qetë dhe meditative, por tani, ajo pushon së qeni kufi absolut dhe bëhet pjesë e natyrshme e rrjedhës së jetës. Ajo tanimë zë vend si një prani e heshtur brenda vetë jetës, ashtu si edhe gjërat e tjera: Dashuria, jeta, ndarjet, sëmundja, vdekja / vijnë e shkojnë ... Kjo qetësi shfaqet edhe në poezinë “Kur duket se poezia i vret poetët ...”, ku poeti na fton të mos e mitizojmë vdekjen e krijuesit, sepse: ata vetëm shkojnë / të pushojnë. Në këto dhe vargjet e mësipërme shihet se nuk ka rebelim, as tmerr, nuk ka as patos tragjik; në vend të tyre ka kthjelltësi të pranimit dhe çmitizimit të një përvoje që mbetet pjesë e pashmangshme e ekzistencës njerëzore. Kjo pajtueshmëri e bën kufirin ndërmjet jetës e vdekjes gjithnjë e më të brishtë, pothuajse të tejdukshëm. Ashtu siç janë të brishtë edhe kufijtë e tjerë që përshkojnë universin poetik të Bajrajt: kufiri ndërmjet atdheut dhe mërgimit, kufiri ndërmjet së tashmes dhe kujtesës, ndërmjet reales dhe imagjinares, ndërmjet njerëzores dhe çnjerëzores etj. Prandaj, në këto poezi të vdekurit bisedojnë me të gjallët, fëmijëria bashkëjeton me pleqërinë, Rahoveci takohet me Meksiko Sitin, ndërsa kujtimet shndërrohen në hapësira ku vazhdon të jetojë poeti dhe bota e tij.
Kjo prirje për t'i zbehur kufijtë ndërmjet kategorive, që zakonisht i perceptojmë si të ndara, përbën një nga veçoritë më karakteristike të këtij vëllimi. Në universin poetik të Bajrajt, kundërvëniet nuk paraqiten si botë të mbyllura, por si hapësira që komunikojnë vazhdimisht, madje edhe depërtojnë vazhdimisht te njëra-tjetra. Pikërisht nga kjo aftësi për të krijuar lidhshmëri ndërmjet përvojave që në dukje përjashtojnë njëra-tjetrën, poezia e tij fiton një dimension të veçantë meditativ dhe universal. Ndoshta për këtë arsye këto poezi lexohen jo si rrëfime për momente konkrete jetësore, por si reflektime mbi gjendjen njerëzore. Ato nuk kërkojnë përgjigje përfundimtare; përkundrazi, e mbajnë të hapur pyetjen mbi kohën dhe fatin e njeriut. Në këtë kuptim, poezia e Bajrajt mbetet besnike ndaj njërit prej impulseve të saj themelore: kërkimit të vazhdueshëm për kuptim në një botë ku kufijtë ndërmjet të mundshmes dhe të pamundshmes, të dukshmes dhe të padukshmes, mbeten gjithnjë të lëvizshëm.
4. “Athua do të ketë vend në atdhe”
Një tjetër motiv i rëndësishëm i këtij vëllimi është ai i mungesës së shtëpisë, i cili plekset ngushtë me përvojën e mërgimit, aq natyrisht, është e pranishme në tërë krijimtarinë e Bajrajt, por këtu, përveç si largim nga vendlindja, mërgimi shfaqet edhe si përballje me të huajën. Ai shndërrohet në një reflektim të thellë mbi vetë kuptimin e shtëpisë dhe të përkatësisë. Shtëpia paraqitet si vend i humbur, si kujtesë, si fantazmë, si hapësirë e rrënuar, si ëndërr kthimi, por edhe si pyetje identitare. Të jesh pa një shtëpi të vërtetë, të jesh çdo kund dhe askund, siç shkruan poeti te “Pyetja themelore”, nënkupton një gjendje ekzistenciale ku njeriu lëviz ndërmjet gjuhëve, vendeve dhe kujtimeve, pa mundur t'i përkasë plotësisht asnjërës prej tyre. Rahoveci dhe Meksiko-Siti, Panorci dhe Turjaka, shtëpia e fëmijërisë dhe fantazma e saj, atdheu dhe vendi që nuk ekziston, bëhen pjesë të së njëjtës hartë shpirtërore. Kështu, përvoja personale e mërgimit tejkalon kufijtë biografikë dhe fiton përmasa universale duke e shndërruar kërkimin e shtëpisë në kërkim të vetvetes. Ndërsa, shtëpia, pushon së qeni thjesht një hapësirë konkrete dhe shndërrohet në një gjendje ekzistenciale.
Në mesin e shumë poezive që e theksojnë fuqishëm dilemën e shtëpisë, veçojmë poezinë “Athua do të ketë vend në atdhe” ku kjo dilemë vazhdon të ruajë kuptimin edhe pas vdekjes. Në plan të parë, poezia artikulon një brengë shumë konkrete të mërgimtarit: a do të mund të prehet një ditë në vendlindje? - pyetje kjo që në kulturën shqiptare, ka një peshë të veçantë simbolike; kthimi për t'u varrosur në vendlindje është forma e fundit e përkatësisë. Por, krahas dëshirës për kthimin përfundimtar në poezi shpërfaqet edhe pasiguria nëse atdheu do ta pranojë ende si një nga të vetët. Këtu, pyetja nëse do të ketë vend për varrin e tij në vendlindje, tejkalon kuptimin e saj të drejtpërdrejtë dhe shndërrohet në pyetje më komplekse, ngase përveç parcelës së varrit shfaqen dilemat se a do të ketë vend në kujtesën kolektive, në bashkësinë që i ka munguar aq shumë dhe në vetë përkatësinë e tij. Kthimi, që për mërgimtarin përfaqëson përmbushjen e fundit të mallit, shfaqet këtu i rrethuar nga dyshimi dhe absurditeti, duke e bërë edhe vdekjen pjesë të pasigurisë njerëzore përballë botës.
Pikërisht këtu brenda poezisë arrihet një pikë ku ndërthuren disa prej temave e motiveve më të rëndësishme të poetikës së Bajrajt; krahas mallit për vendlindjen dhe dëshirës për kthimin e fundit; shfaqet fuqishëm edhe ankthi i mërgimtarit; pasiguria e përkatësisë; ironia ndaj realitetit shqiptar dhe pyetja metafizike mbi fatin e njeriut. Përveç ngjyrimit tragjik që i japin poezisë këto dilema e pasiguri, na shfaqet edhe ironia karakteristike e Bajrajt, sepse ai do të shkojë: atje ku të vdekurit shtyhen me bërryla / sa herë të dalin / apo të kthehen në varr / kur ka zgjedhje. Atij i dhemb gjendja në atdhe, ku edhe të vdekurit nuk arrijnë t'i shpëtojnë absurditetit të jetës politike dhe përfshihen në lojën groteske të zgjedhjeve. Këtu krijohet një figurë njëkohësisht komike dhe tronditëse, ku grotesku dhe tragjikja bashkëjetojnë natyrshëm duke i dhënë përmasat reale të ankthit, i cili në fund të poezisë zhvendoset nga rrafshi tokësor në atë metafizik. Duket se, në fund të fundit, pyetja për përkatësinë nuk mund të ishte vetëm tokësore, sepse tanimë për poetin nuk është i rëndësishëm vetëm vendi ku do të prehet, por edhe kujt do t’i përkasë në fund të udhëtimit? Ngase, në çastin e lutjes së fundit, njeriu, siç thotë vargu i fundit i poezisë: e gjen / ose e humb / Zotin.
5. Poezia që mendon për veten
Prania e theksuar e dimensionit metapoetik doemos duhet të theksohet si një veçori e rëndësishme të këtij vëllimi, ngase këtu poezia nuk shfaqet vetëm si mjet për të dëshmuar botën, por bëhet edhe objekt reflektimi; Bajraj tani nuk pyet vetëm për botën, por edhe për vetë poezinë. Duke dëshmuar realitetin, ai ndalet herë pas here për të vënë në sprovë kuptimin, burimet dhe kufijtë e fjalës poetike. Kështu, poezia bëhet njëkohësisht mjet i njohjes së botës dhe objekt i vetes së saj: Poezia është e gjallë / prandaj dëgjojeni këshillën e Whitman-it / Shoku / ky nuk është një libër / kush prek këtë / prek një njeri. Duke e kaluar një jetë me poezinë, mbase edhe duke e nuhatur se ndodhej në fund të rrugëtimit krijues, Bajraj e ndjen të nevojshme të rikujtojë se libri nuk mund të konsiderohet si objekt, e as poezia si tekst i vdekur, përkundrazi, leximi për të është një takim njerëzor. Dhe, në njëfarë mënyre, kjo bëhet edhe si bazë teorike e vetë këtij vëllimit, duke na sjell në mendje se pas çdo libri qëndron një jetë e jetuar, një përvojë njerëzore dhe një zë që vazhdon të kërkojë bashkëbisedim me lexuesin, edhe atëherë kur autori më nuk është qenie fizike.
Në disa poezi ku Bajraj vazhdon të reflektojë mbi vetë poezinë, na shfaqen edhe segmente të tjera të konceptit të tij mbi krijimin. Në “Parimi themelor i një poeti”, duke e paraqitur poezinë si dritë / brenda tavernës së madhe të botës ..., ajo na shfaqet si një akt lirie që synon të zbulojë tmerrin e botës. Ndërsa te “Kulla e fildishtë” hasim një poet që dyshon në fuqinë e poezisë, madje edhe në vetveten, por që, megjithatë, vazhdon të shkruajë. Këtu, Bajraj, me një ton skeptik dhe me një autoironi të përmbajtur, jo vetëm e rrëzon mitin romantik mbi poetin dhe mbi fuqinë shpëtimtare të artit, por e paraqet atë si domosdoshmëri e të jetuarit, për vetë poetin. Një tjetër formulim domethënës i konceptit të tij mbi poezinë shpaloset te “Se nga aty rrjedh poezia”, ku dashuria dhe dhimbja paraqiten si burimet e saj të vërteta, duke e lënë në hije çdo dhunti tjetër. Ndërkaq, te poezitë “Budalla, ende të dua” dhe “Poezia në imazhe” ndeshim përcaktime po aq të rëndësishme. Në të parën, poeti është i vetëdijshëm se gjembat - pra, vargjet - nuk arrijnë ta mbrojnë nga asgjë, por ato mbeten gjithçka që ai ka; ndërsa në të dytën poezia lind nga tronditja përballë së bukurës dhe nga pamundësia për të folur: Kur e pashë për herë të parë / në sy / mbeta pa fjalë / dhe aty për aty / lindi poezia ... Duke i lexuar të gjitha këto, kuptojmë se Bajraj nuk ndërton një përkufizim të vetëm për poezinë. Për të, ajo është njëkohësisht takim njerëzor dhe akt lirie, plagë dhe ngushëllim, strehë dhe mjet që nuk arrin ta mbrojë, dëshmi e botës dhe dëshmi e kufijve të vet. Pikërisht në këtë lëkundje ndërmjet besimit dhe skepticizmit, ndërmjet nevojës për të shkruar dhe vetëdijes për pafuqinë e fjalës poetike për ta ndryshuar botën, qëndron një nga aspektet më moderne dhe më tërheqëse të poetikës së tij të vonë.
6. Bashkëbisedimi i fundit
Duke u nisur nga fakti se përgjatë viteve të fundit e kisha krijuar një marrëdhënie të ngushtë me poezinë e Bajrajt dhe kam shkruar për secilin libër që i ka dhuruar lexuesve shqiptarë përgjatë dekadës së fundit krijuese, atëherë ky shkrim, për mua është më shumë se një parathënie e këtij libri. Duke qenë se Dyert e burgut janë të hapura sjell poezitë e fundit, të pabotuara të Xhevdet Bajrajt, ky shkrim, përveç shoqërimi im i fundit me një libër të ri të poetit, është dhe mbyllja e një bashkëbisedimi letrar që zgjati për vite me radhë. Në këto vite, kam pasur mundësinë të ndjek nga afër jo vetëm zhvillimin e poetikës së tij, por edhe përkushtimin e jashtëzakonshëm ndaj fjalës poetike, skepticizmin dhe dhembshurinë e tij, ironinë e hollë dhe besimin këmbëngulës se poezia për të mbetej një mënyrë e domosdoshme e të qenit në botë. Duke e pasur përpara tërë krijimtarinë e tij që shtrihet në harkun kohor 1989-2022 aktualisht mbetet si mundësi studimi i saj i plotë si një tërësi e përmbyllur. Vetëm tani bëhet e mundur të ndiqen me më shumë qartësi vazhdimësitë dhe zhvendosjet e poetikës së Bajrajt, kthimi i pandërprerë te disa prej motiveve themelore, transformimi i tyre në etapa të ndryshme krijuese, si dhe mënyra se si përvoja jetësore, mërgimi, historia dhe vetëdija poetike kanë ndërtuar një nga universet më të veçanta të poezisë bashkëkohore shqipe. Në këtë kuptim, ky vëllim nuk shënon vetëm fundin e një rrugëtimi krijues, por edhe fillimin e një mundësie të re për ta lexuar dhe për ta kuptuar në tërësinë e tij veprën poetike të Xhevdet Bajrajt.
Por, nëse vepra poetike e Bajrajt tashmë mund të lexohet si një tërësi e përmbyllur, ajo vazhdon të jetojë edhe përmes marrëdhënieve njerëzore dhe letrare që ka krijuar ndër vite. Edhe vetë historia editoriale e këtij libri bart në vete një domethënie të veçantë simbolike. Për herë të parë, redaktore e një vëllimi poetik të Xhevdet Bajrajt është Nafije Zogaj, prandaj është momenti që të zbulohet këtu edhe domethënia simbolike që puna dhe emri i saj bart në këtë libër. Dikur, poeti Xhevdet Bajraj ishte redaktor i vëllimit të parë poetik të Nafije Zogajt, kur ajo ishte një adoleshente, në fillimet e krijimtarisë së saj. Ai e përcolli me bujari vëmendjen dhe besimin ndaj një zëri të ri poetik, ku gjeti një individualitet që premtonte shumë. Koha dëshmoi se besimi i tij kishte qenë i drejtë. Sot, kemi një kthim të heshtur të situatës dhe Nafije Zogaj bëhet redaktorja e librit të fundit të poetit, si një krijuese tashmë e dëshmuar, e cila, vazhdon dhe zhvillon disa prej prirjeve estetike, që në letërsinë tonë mund të përfshihen brenda asaj që mund ta quajmë pa ngurrim një shkollë bajriane. Këtu përmbyllet një rreth njerëzor, por edhe letrar, ku poezia vazhdon të lidhë brezat, pavarësisht nga prezenca fizike e tyre.
Ndoshta këtu na shfaqet edhe një nga mënyrat më të bukura për ta lexuar këtë vëllim dhe vetë titullin e tij. I pagëzuar nga Fadil Bajraj, vëllai i poetit, titulli Dyert e burgut janë të hapura i reziston çdo përkufizimi përfundimtar dhe mbetet i hapur ndaj leximeve të reja. Ai nuk është vetëm emërtimi i një përmbledhjeje dorëshkrimesh të mbetura, por edhe një ftesë për vazhdimin e bashkëbisedimit që poezia e Xhevdet Bajrajt ka nisur me lexuesit e saj. Në këtë bashkëbisedim kanë vend lexuesit e rinj, studiuesit e ardhshëm dhe krijuesit që do të gjejnë te kjo poezi jo modele për t'u përsëritur, por guximin për të kërkuar zërin e tyre.
Kjo përmbledhje nuk do të mbërrinte në duart e lexuesit pa besimin dhe bujarinë e Vjollca Bajrajt, e cila ma besoi të drejtën dhe përgjegjësinë e përgatitjes së saj për botim. Prandaj, edhe ky libër mbetet dëshmi se poezia nuk është vetëm vepër individuale, por edhe kujdes, besim dhe trashëgimi e përbashkët njerëzore. Vëllimi Dyert e burgut janë të hapura është dëshmia e fundit e një zëri që vazhdoi të shkruajë deri në pragun e heshtjes, duke na lënë pas jo përgjigje përfundimtare, por pyetje që vazhdojnë të na shoqërojnë: për poezinë dhe kufijtë e saj, për vdekjen dhe kujtesën, për shtëpinë dhe përkatësinë, për njeriun dhe fatin e tij. Dhe, mbi të gjitha, është dëshmi se poeti mund të largohet, por bashkëbisedimi që ai ka nisur me lexuesin vazhdon të mbetet i hapur.


