Përfundon operacioni policor në Pejë, arrestohet një i dyshuar për krim të organizuar dhe rrëmbim
Operacioni policor i zhvilluar sot në Pejë ka përfunduar me arrestimin e të dyshuarit R.H., në bazë të urdhrit për kontroll dhe nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar në lidhje me veprën penale “Rrëmbimi”, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas autoriteteve, aksioni është realizuar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe është rezultat i një procesi hetimor që lidhet me dyshimet për rrëmbimin e një personi, rast i cili kishte ndodhur në vitin 2021.
Nga Prokuroria është bërë e ditur se lidhur me këtë rast, një tjetër i dyshuar ndodhet tashmë në paraburgim. Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit, janë sekuestruar prova relevante, të cilat do të shërbejnë në vazhdimin e procedurës hetimore.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit R.H. /Telegrafi/


