Please enter at least 3 characters.

Përfundojnë punimet për sanimin e rrëshqitjes së dheut në Carralevë, rruga hapet për qarkullim

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar për përfundimin e punimeve për sanimin e rrëshqitjes së dheut në Carralevë, e cila sipas tij kishte rrezikuar seriozisht trupin e rrugës dhe sigurinë e qytetarëve.

Ai ka bërë të ditur se ka qenë i pranishëm në përfundimin e punimeve, së bashku me kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.

Basha ka theksuar se intervenimi është bërë menjëherë pas marrjes së detyrës, duke e cilësuar rastin si prioritet për institucionet përgjegjëse.

Në deklarimin e tij, ministri në detyrë ka thënë: “Kjo rrëshqitje rrezikonte të dëmtonte tërësisht trupin e rrugës dhe paraqiste rrezik serioz për qytetarët që e shfrytëzojnë këtë aks rrugor”.

Ai ka shtuar se procedurat janë përshpejtuar në koordinim me administratën për të realizuar sanimin në kohë të shkurtër.

Në njoftim thuhet: “Menjëherë pas marrjes së detyrës, në koordinim me administratën, kemi vepruar me prioritet të lartë, duke përshpejtuar procedurat dhe realizuar sanimin e dëmit në kohë rekord”.

Sipas Bashës, rruga tashmë është plotësisht e hapur dhe e sigurt për qarkullim.

“Vazhdojmë me punë të mira e të mbara,” ka thënë ai në fund të deklaratës. /Telegrafi/