Përditësim i rëndësishëm nga Ambasada Amerikane për aplikantët e vizave në Prishtinë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka njoftuar për një përditësim të rëndësishëm që hyn në fuqi nga data 7 prill 2025, i cili prek të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për vizë.
Sipas njoftimit zyrtar, Seksioni Konsullor në Prishtinë nuk do të procesojë më aplikime për vizë nëse numri i formularit DS-160 nuk përputhet me atë që është përdorur për të caktuar takimin për vizë.
“Duke filluar nga 7 prilli 2025, Seksioni Konsullor në Prishtinë nuk do t’i përpunojë më aplikimet për vizë nga individë, të cilët kanë numrin e formularit DS-160 (numri i aplikimit online për vizë) të ndryshëm nga ai që është përdorur për të caktuar takimin për vizë. Këta aplikantë do të duhet të largohen nga Ambasada dhe të caktojnë një takim të ri përmes sistemit tonë online, duke përdorur numrin që i korrespondon aplikimit të tyre aktual online për vizë”, thuhet në njoftim.
Ambasada sqaron më tej se ndërrimi i numrit të formularit DS-160 është i mundur vetëm një herë, dhe aplikimi i ri duhet të dorëzohet të paktën 48 orë para datës së intervistës së planifikuar.
“Është e mundur të ndryshohet numri i formularit DS-160 vetëm një herë, dhe se formulari duhet të plotësohet, të nënshkruhet elektronikisht dhe të dorëzohet të paktën 48 orë para intervistës së planifikuar”, thuhet më tej.
Në fund, Ambasada u bën thirrje të gjithë aplikantëve që në rast të paqartësive, të kontaktojnë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
“Për çdo pyetje shtesë, ju lutemi na kontaktoni”, përfundon njoftimi./Telegrafi/


