Pentagoni pranoi se sulmet ajrore amerikane në Jemen vranë 153 civilë
Pentagoni ka bërë të ditur në një raport të dorëzuar Kongresit se sulmet amerikane në Jemen vitin e kaluar vranë 153 civilë dhe plagosën 243 të tjerë, raportojnë mediat amerikane.
Sipas raportit të brendshëm të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, dokumenti prej 12 faqesh iu dërgua të hënën Komisionit të Forcave të Armatosura të Senatit amerikan.
Në të thuhet se disa prej sulmeve “me shumë gjasa” shkaktuan viktima civile, përfshirë sulmin ndaj Sanaas më 6 prill, ku u vranë pesë civilë dhe u plagosën 25 të tjerë.
Në raport veçohet edhe sulmi amerikan ndaj Hodeidahut më 17 prill, ku, sipas Pentagonit, u vranë të paktën 80 civilë. Human Rights Watch deklaroi në një raport të publikuar në qershor se ky sulm duhet të hetohet si krim i mundshëm lufte, raporton ap.
Hulumtuesja e kësaj organizate për Jemenin dhe Bahrejnin, Niku Jafarnia, tha se vendimi i qeverisë amerikane për të sulmuar portin Ras Issa, një pikë kyçe për hyrjen e ndihmave në Jemen, në kohën kur aty ndodheshin qindra punëtorë, tregon për një shpërfillje të pamëshirshme ndaj jetëve të civilëve.
Presidenti amerikan, Donald Trump urdhëroi bombardimin e rebelëve Huthi në mars të vitit 2025, pasi grupi kishte sulmuar anije në Detin e Kuq, duke pretenduar se këtë e bënte në shenjë solidariteti me palestinezët në Gazën e rrethuar. Në fund të prillit, nga një sulm ajror amerikan në provincën veriperëndimore Saada u vranë gjithashtu të paktën 68 migrantë afrikanë.
Pentagoni bëri të ditur se edhe 15 incidente të tjera të lidhura me këto sulme ajrore janë ende duke u shqyrtuar. Më shumë se 1.000 sulme amerikane nuk arritën t’i ndalonin përgjithmonë Huthit, ndërsa fushata u pezullua në maj të vitit 2025, para vizitës së Trumpit në Gjirin Persik.
Sipas Middle East Eye, Arabia Saudite i kishte kërkuar Uashingtonit t’i ndalte sulmet para kësaj vizite, ndërsa zyrtarët rajonalë vlerësuan se ndikimi i sulmeve në arsenalin ushtarak të Huthive ishte i rëndë, por jetëshkurtër. /Telegrafi/


