Pasi i mbijetoi votëbesimit, Abdixhiku fton kritikët të bashkohen pas tij
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i ka mbijetuar votëbesimit të kërkuar nga vetë ai të shtunën, në Kuvendin e partisë, duke u konfirmuar me shumicë votash për të vazhduar udhëheqjen e LDK-së.
Pas përfundimit të procesit, Abdixhiku ka bërë të ditur se Kuvendi ka zhvilluar mbi shtatë orë diskutime, ndërsa qëndrimin e tij në krye të partisë e ka cilësuar si privilegj dhe përgjegjësi.
“Me votim të mbyllur u dha verdikti i anëtarësisë së LDK-së, për të cilin jam falënderues. Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme, por edhe për kundërshtimet gjatë këtij procesi”, ka deklaruar Abdixhiku para mediave.
Ai ka njoftuar se Kuvendi ka miratuar dy deklarata politike: një për riorganizimin e brendshëm të LDK-së dhe një tjetër për gjendjen politike në Kosovë.
Sipas tij, përmes deklaratës së dytë, partia është zotuar për diskutime të hapura me të gjithë spektrin politik, me synim ofrimin e stabilitetit për të ardhmen e vendit.
Duke folur për hapat e ardhshëm, Abdixhiku theksoi se rimëkëmbja është drejtimi kryesor i partisë dhe ftoi të gjithë anëtarët, përfshirë edhe ata kritikë ndaj tij, që të bashkohen.
“Rruga përpara e LDK-së ka emër – Rimëkëmbje. Kjo nuk bëhet me ndarje në fitues e humbës, por me përafrimin e të gjithë anëtarësisë. I ftoj të gjithë, edhe ata që nuk ishin të kënaqur me mua, të rreshtohen pas qëllimit të përbashkët”, u shpreh ai.
Abdixhiku theksoi se në Kuvend nuk është diskutuar për koalicione apo pozicione specifike, por për vlera orientuese dhe për rolin e LDK-së si parti që synon stabilitetin politik.
Ai bëri të ditur gjithashtu se edhe kryesia e re e partisë do të zgjidhet përmes procesit të njëjtë të votimit, sikurse kryetari.
Procesin e Kuvendit, Abdixhiku e cilësoi si një shfaqje të lartë të kulturës politike, duke vlerësuar si standard të rrallë në Kosovë ballafaqimin me votëbesim pas ofrimit të dorëheqjes.
“Për mbi shtatë orë debat të hapur dhe konstruktiv, prodhuam demokraci maksimale. Një proces i tillë i votëbesimit përmes votimit të fshehtë është dëshmi e pjekurisë politike të LDK-së”, tha ai, duke falënderuar delegatët për përfaqësimin dinjitoz të anëtarësisë dhe duke u zotuar për ruajtjen e unitetit dhe sinqeritet ndaj qytetarëve dhe vlerave themeltare të LDK-së./Telegrafi/


