Pas zhurmës në rrjet, Jada Pinkett dhe Will Smith dalin së bashku në Paris
Jada Pinkett Smith dhe Will Smith janë shfaqur sërish së bashku në publik në Paris, vetëm pak ditë pasi një video e tyre u bë virale dhe nxiti reagime të shumta në rrjetet sociale.
Çifti, që prej vitesh ndjek një marrëdhënie jo tradicionale, ndodhet në Francë për të mbështetur djalin e tyre, Jaden Smith, gjatë Javës së Modës.
Të dy u panë duke dalë nga hoteli i tyre në kryeqytetin francez me humor të mirë. Will, 57 vjeç, kishte zgjedhur një stil sportiv me kapele bejsbolli ngjyrë bordo, bluzë të bardhë dhe pantallona të errëta, ndërsa Jada, 54 vjeçe, tërhoqi vëmendjen me një fustan të gjatë rozë të kombinuar me çizme të zeza, shkruan DailyMail.
Dalja e tyre vjen pas debatit të shkaktuar nga një video ku Will ndalonte për t’u dhënë autografe fansave, ndërsa Jada kalonte pranë tij duke i vendosur dorën në shpinë.
Disa përdorues të rrjeteve sociale pretenduan se ajo e kishte shtyrë aktorin, duke e cilësuar gjestin si “toksik”, ndërsa të tjerë e mbrojtën, duke argumentuar se bëhej fjalë vetëm për një prekje kalimtare dhe jo për një shtyrje.
Will dhe Jada mbeten të martuar ligjërisht që nga viti 1997, megjithëse vetë aktorja ka zbuluar se ata jetojnë të ndarë që prej vitit 2016.
Ajo ka theksuar se nuk kanë ndërmarrë hapa për divorc dhe vazhdojnë ta përshkruajnë lidhjen e tyre si një “partneritet jetësor”.
Ndërkohë, Will po përgatitet për rikthimin në ekran me filmin e ri “Supermax”, xhirimet e të cilit pritet të nisin në muajin gusht. /Telegrafi/


