Pak minuta para nisjes së 'Eurovision 2025' - fansat shqiptarë valvitin flamurin e Kosovës jashtë sallës së eventit në Bazel
Vetëm pak minuta na ndajnë nga nisja zyrtare e finales së madhe të “Eurovision Song Contest 2025”, që këtë vit po mbahet në qytetin e Bazelit, Zvicër.
Në ambientet e jashtme të sallës “St. Jakobshalle”, ku do të zhvillohet eventi, atmosfera tashmë ka marrë formën e një feste të vërtetë.
Zona e quajtur “EuroVillage” është shndërruar në një pikë takimi për mijëra fansa nga mbarë Evropa dhe më gjerë.
Ajo që bie në sy është prania e shumë fansave të ardhur nga Kosova, ndonëse vendi ynë vazhdon të mbetet jashtë këtij kompeticioni prestigjioz për shkak të mospërfshirjes në EBU – një padrejtësi që prej vitesh ka penguar Kosovën të marrë pjesë zyrtarisht në Eurovision.
Telegrafi ka siguruar disa pamje ekskluzive nga Bazeli, ku shihen fansa shqiptarë duke valëvitur flamurin e Kosovës jashtë sallës “St. Jakobshalle”, teksa presin me entuziazëm nisjen e spektaklit muzikor më të ndjekur në Evropë.
Pavarësisht mungesës si pjesëmarrëse zyrtare, Kosova vazhdon të jetë e pranishme përmes dashurisë dhe përkushtimit të publikut të saj ndaj muzikës dhe kulturës evropiane. /Telegrafi/


