Osmani flet nëse ka rrezik për një qeveri antiamerikane në Kosovë
Në Kosovë s’ka pasur dhe nuk do të ketë asnjëherë qeveri anti-amerikane, tha presidentja e vendit Vjosa Osmani.
Sipas saj, në Kosovë ka pasur dhe do të ketë gjithnjë qeveri më proamerikane që mund të gjejë dikush.
Megjithatë, ajo tha se secila qeveri i ka metodat, strategjitë dhe mënyrën sesi punon me partnerët.
E para e vendit, tha se ajo ka një bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, pasi e sheh si partner ekzistencial në zhvillimin dhe mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Këtë koment ajo e dha pasi u pyet nga mediat të hënën për deklaratën e ish diplomatit amerikan, Philip Reeker, i cili ditë më parë tha se Kosova ka nevojë për një qeveri e cila mund të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Osmani të hënën priti në takim edhe dy kongresistë amerikan, Mike Turner dhe Donald Norcross.
“Në Kosovë nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë asnjëherë qeveri anti-amerikane. Në Kosovë ka pasur dhe do të ketë gjithnjë edhe në të ardhmen qeveri më proamerikane që mund të gjejë dikush. Ne e kemi popullin më pro amerikan në botë dhe secila qeveri e Kosovës që vjen është nga ky popull. Ne nuk mund të kemi dallime mes popullit që krijon qeveri apo votuesit që krijon qeveri dhe qeverisë, përderisa secila qeveri i ka metodat, strategjitë dhe mënyrën sesi punon me partnerët. Për atë sesi kanë punuar dhe si do të punojnë në të ardhmen unë iu sugjeroj të adresoni pyetjet në qeveri. Sa i përket punës sime si presidente mund t’iu siguroj se kam pasur dhe vazhdoj të kem një bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në pasi i shoh si partner ekzistencial në zhvillimin e Kosovës dhe mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë sonë si dhe tejkalimin e sfidave të sigurisë që ballafaqohemi”, theksoi ajo. /KP/


