Osmani: Partia në pushtet po urdhëron fyerje e linçime ndaj nënave shqiptare
Kandidatja për presidente nga LDK-ja, Vjosa Osmani, në “DPT te Fidani” në Klan Kosova tha se ka mbështetur Albin Kurtin edhe kur ai nuk kishte pushtet dhe se nuk ka tradhtuar askënd.
Ajo theksoi se e ka mbështetur kreun e VV-së edhe kur ai nuk kishte pushtet, i ka hapur dyer në botë dhe i ka qëndruar pranë në momente kur mbi 80 deputetë kishin tentuar ta rrëzonin.
“S’e kam tradhtu kurrë kërkon në jetë, aq më pak Albin Kurtin, e kam mbrojt, e kam rujt, e kam shty përpara, ia kam hap dyer nëpër botë, dhe e kam mbështet në kohën kur dikund mbi 80 e sa deputetë janë çu me rrëzu, i jam bashku e ia kam mbajt krahun kur ai s’ka pas pushtet fare. As s’ka qenë kryeministër, as deputet, ka qenë krejt jashtë. Asnjë tradhti të vetme s’ia kam bë, as s’ia bëj kurrkujt hiç. Për mua mbi të gjitha është interesi i Kosovës”, tha Vjosa Osmani.
Tutje, ish-presidentja kritikoi edhe qasjen politike fyese dhe linçuese nga partia në pushtet ndaj grave dhe nënave shqiptare, duke i cilësuar si më të ndyrat në historinë e Kosovës.
“Me gjërat që janë duke ndodhur kohët e fundit, është më e ndyta ndonjëherë. Jo politika, sepse fyerjet e linçimet janë duke ardhur prej një adrese të caktume. Fatkeqësisht partia në pushtet po urdhëron fyerje ndaj grave dhe nënave shqiptare, fyerje të cilat s’i kemi pa kurrë në historinë politike të Kosovës”, tha Osmani.


