Please enter at least 3 characters.

Osmani: Marrëveshja e Bordit të Paqes shkon në Kuvend për ratifikim, kontributet financiare janë vullnetare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar në Davos për anëtarësimin e Kosovës në “Bordin e Paqes” do të procedohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, menjëherë pas konstituimit të tij, duke theksuar se asnjë obligim nuk do të merret pa miratimin e Kuvendit dhe se nuk është kërkuar asnjë kontribut financiar i detyrueshëm nga Kosova.

Në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullau, Osmani tha se rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i padiskutueshëm.

Presidentja theksoi se Kosova nuk ka asnjë hezitim politik ndaj kësaj nisme, duke kujtuar rolin vendimtar të SHBA-ve në lirinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës.

Presidentja deklaroi se procedura për ratifikimin e marrëveshjes do të nisë sapo Kuvendi të konstituohet dhe se synohet një unifikim i plotë politik rreth kësaj iniciative.

“Natyrisht, unë kam vendosur që në momentin që konstituohet Kuvendi, sepse fatkeqësisht akoma s'e kemi, por me shpresën që sa më parë do ta kemi si institucion funksional menjëherë do ta procedojë këtë marrëveshje për ratifikim në Kuvend, se besoj që duhet të ketë legjitimitet sa më të plotë dhe një lloj unifikim që as nuk dyshoj se do ta kemi total të skenës politike në Republikën e Kosovës rreth kësaj iniciative”, deklaroi Osmani shkruan Telegrafi.

Ajo paralajmëroi krijimin e një platforme nacionale gjithëpërfshirëse për të përcaktuar kontributin e Kosovës në këtë organizatë.

“Planifikoj që menjëherë pas ratifikimit ta krijojmë një platformë nacionale ku secili do të bashkohet rreth saj për të determinuar çdo lloj kontributi që Kosova mund ta japë… planifikojmë që t'i ftojmë shoqërinë civile, pastaj edhe mediat edhe shumë organizata të tjera të cilat kanë ndërtuar një përvojë më shumë se njëzet e gjashtë vjeçare në ndërtim të paqes”, u shpreh presidentja në “Përballje Podcast”.

Osmani theksoi se Kosova ka përvojë unike për të kontribuuar në proceset e paqes dhe ndërtimit të institucioneve pas konfliktit.

“Kosova vërtet ka si të kontribuojë me përvojën e saj, me kontributin e saj, me rreshtimin e saj politik me energjinë e saj do të thoja që rrallëherë mund ta gjeni te shumë shtete të tjera”, u shpreh ajo.


Sa i përket obligimeve financiare, Presidentja Osmani tha se nuk ka kërkesë për kontribute të detyrueshme.

“Po e përsëris, nuk është kërkuar kontribut financiar nga Republika e Kosovës. Karta e Bordit të Paqes potencon që kontributet financiare janë vullnetare, pra varet vullnetarisht nga shtetet se a dëshirojnë të kontribuojnë dhe sa dëshirojnë të kontribuojnë”, tha Osmani.

Osmani shtoi se Kosova tashmë ka dhënë kontribut humanitar për Gazën dhe se mundësitë për ndihmë nuk kufizohen vetëm në aspektin financiar.

“Republika e Kosovës nëpërmjet donacionit të Qeverisë së Republikës ka ndarë mbështetje humanitare për popullatën në Gaza, por ka edhe shumë mundësi të tjera, nëpërmjet ekspertizës që e kemi ndërtuar, që ne të ndihmojmë”, deklaroi presidentja.

- YouTubewww.youtube.com

Në fund, Osmani tha se anëtarësimi në këtë organizatë i jep Kosovës zë të barabartë në diskutimet për çështje globale dhe gjeopolitike.

“Në një organizatë ndërkombëtare, ku do të flitet për shumë konflikte globale, ku do të flitet për shumë tema të rëndësishme gjeopolitike, Kosova do ta ketë zërin e saj të barabartë dhe kjo ka shumë rëndësi”, tha ajo.

Ajo e quajti këtë përzgjedhje si një mundësi historike për Kosovën që duhet shfrytëzuar me mençuri.

“Fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë bërë Kosovës këtë nder të jashtëzakonshëm… atëherë kjo është një mundësi që ne duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mençur të mundshme për interesat tona, për interes të paqes, por edhe duke dhënë kontribut për aq sa kemi kapacitet dhe kemi mundësi”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/