Olayinka është lojtar i Trepça ‘89
Lajmin e ka konfirmuar presidenti i korçarëve, Ardian Takaj, i cili njoftoi se pas shumë negociatave, marrëveshja është arritur të mërkurën.
Nigeriani 19-vjeçar në fund të muajit janar u pezullua për katër muaj nga Komisioni i Apelit në Federatën Shqiptare e Futbollit, për shkelje të rregullores së statutit, për shkak se në fillim të merkatos së verës ai kishte nënshkruar dy kontrata, fillimisht me Kukësin më pas me Skënderbeun.
Sipas rregullores, sulmuesi nigerian e kishte të pamundur të aktivizohej te ndonjë klub tjetër shqiptar, përveç në Superligën e Kosovës. Në këtë mënyrë Olayinka do të veshë fanellën e Trepçës ‘89 deri në fund të këtij sezoni, për t’u rikthyer pastaj përsëri në Korçë.
Presidenti Takaj theksoi që sulmuesi nigerian është futbollisti më i mirë i skuadrës dhe transferimi i tij në Mitrovicë do të zgjojë kureshtjen e qindra tifozëve të Shqipërisë, edhe për futbollin e Kosovës.
Olayinka aktualisht është golashënuesi më i mirë i Skënderbeut me gjashtë gola në 15 ndeshje. /Telegrafi/


