Please enter at least 3 characters.

Nuk po ndalet orteku i njohjes së një shteti palestinez - Portugalia dhe Finlanda dëshiron ta bëjë këtë në muajin shtator

Finlanda dhe Portugalia po lëvizin drejt njohjes së një shteti palestinez.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Portugalisë është marrë vendimi për të nisur konsultime me Presidentin e Republikës dhe partitë parlamentare lidhur me njohjen e shtetit të Palestinës në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet në shtator të këtij viti.

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e kryeministrit portugez, thuhet se ekzekutivi i udhëhequr nga Luis Montenegro ka sqaruar më herët parakushtet për nisjen e procesit të njohjes, raporton timesofisrael.

Në këtë kontekst, Qeveria thekson se, duke qenë se kushtet e paraqitura janë përmbushur dhe kryesisht janë konfirmuar nga shtetet pjesëmarrëse në konferencën e OKB-së, ajo ka vendosur të nxisë konsultime me Presidentin e Republikës dhe me partitë politike të përfaqësuara në Parlament me synimin që njohja të bëhet në shtator, gjatë Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së.

Në një intervistë për SIC Notícias, ministri i Jashtëm, Paulo Rangel deklaroi se vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave këtë të enjte dhe se do të pasojnë konsultimet me partitë. Duke komentuar vendimin e Qeverisë, Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, e përshkroi procesin si "shumë të matur dhe të arsyeshëm", dhe theksoi se vendimi i qeverisë është rezultat i një analize të asaj që ka ndodhur dhe përkeqësimit të situatës në Palestinë.

Agjencia e Lajmeve STT raporton se presidenti finlandez, Alexander Stubb është i gatshëm të njohë një shtet palestinez.

“Ne kemi diskutuar për këtë çështje të vështirë që nga tetori i vitit 2023. Tani unë personalisht besoj se situata ka avancuar deri në atë pikë sa që është koha që Finlanda të bëjë zgjedhjen e saj,” i tha Stubb agjencisë STT. Megjithatë, brenda qeverisë ka mosmarrëveshje, pasi Partia Finlandeze dhe Kristian Demokratët janë kundër këtij hapi.

Valën e njohjes së Palestinës e ka nisur Franca, ndërsa tashmë i janë bashkuar edhe Malta dhe Kanadaja.

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka paralajmëruar se do ta njohë Palestinën nëse Izraeli nuk përmbush kushtet e vendosura. /Telegrafi/