Njëri nga hajdutët që grabiti Donnarumman kreu vetëvrasje, hetimi zbulon detaje tronditëse të grupit kriminal
Rasti i grabitjes së shtëpisë së portierit italian Gianluigi Donnarumma ka marrë një epilog tragjik. Sipas gazetës franceze Le Parisien, një nga autorët e krimit ka kryer vetëvrasje në burg.
Bëhet fjalë për një të ri 21-vjeçar, i identifikuar si një nga të përfshirët në grabitje, i cili i mori jetën vetes më 10 maj 2024 në burgun e Fresnes, në Francë.
Kur rojet e burgut mbërritën në qelinë e tij, e gjetën të varur në hekurat e dritares. Pavarësisht reagimit të menjëhershëm dhe përpjekjeve për ringjallje, përfshirë përdorimin e defibrilatorit, jeta e tij nuk mundi të shpëtohej.
🚨🚨 | 𝐉𝐔𝐒𝐓 𝐈𝐍: Gianluigi Donnarumma's house was ATTACKED by a Burglar who has now KILLED himself in prison after arrest. 😳
[@le_Parisien_PSG] pic.twitter.com/QISBlM2VgM
— MatchdayHQ (@TheMatchdayHQ) December 14, 2025
Sipas hetimeve, i riu nuk ishte një nga organizatorët kryesorë të grabitjes, por më tepër një “peng” i përdorur nga drejtuesit e grupit kriminal. Autoritetet hetimore bëjnë të ditur se krerët e bandës ushtruan ndaj tij presion të vazhdueshëm dhe abuzim brutal për disa muaj, duke e shfrytëzuar për realizimin e planeve kriminale.
Rasti u rikthye sërish në vëmendje pas arrestimeve të fundit të anëtarëve kryesorë të bandës, duke hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen që ndodhi në verën e vitit 2023.
Gjatë grabitjes, Donnarumma dhe partnerja e tij përjetuan momente dramatike, pasi autorët hynë me forcë në banesë, i lidhën dhe grabitën para dhe sende me vlerë, me një dëm të vlerësuar rreth 500 mijë euro.
Arrestimet e para u kryen në prill të vitit 2024, ndërsa deri në fund të nëntorit autoritetet arritën të shpërbëjnë plotësisht të gjithë grupin kriminal, duke i dhënë fund një prej rasteve më të rënda të grabitjeve që tronditi opinionin sportiv dhe publikun francez. /Telegrafi/


