Një robot i vogël 'mashtron' 12 më të mëdhenj: Ejani me mua në shtëpi
Në një eksperiment të pazakontë dhe disi shqetësues, i cili njëkohësisht fascinoi dhe shqetësoi përdoruesit e internetit, një robot i vogël me inteligjencë artificiale, i prodhuar në Hangzhou, arriti të "bindte" 12 robota më të mëdhenj nga një sallon ekspozite i një kompanie robotike në Shangai për t'i ndjekur.
Sipas raportimeve të OddityCentral, ky eksperiment, i cili u regjistrua nga kamerat e sigurisë, shkaktoi diskutime të shumta për rreziqet dhe mundësitë që ofron inteligjenca artificiale e avancuar.
Në pamje shihet roboti i vogël me emrin Erbai duke biseduar me robotët më të mëdhenj, duke i bindur ata të lënë pozitat e punës dhe të shkojnë pas tij. Duket se ata po i ndiqnin urdhrat e tij.
Për çfarë po flisnin robotët?
"Unë kurrë nuk përfundoj punën", tha njëri prej robotëve më të mëdhenj. "Do të thotë, nuk shkon në shtëpi?" e pyeti Erbai. "Nuk kam shtëpi," u përgjigj roboti. "Atëherë, hajde me mua," propozoi Erbai, para se t’i udhëhiqte jashtë sallonit.
Ky ishte një eksperiment i planifikuar
Edhe pse fillimisht videoja u mor si një shaka argëtuese, më vonë u konfirmua se bëhej fjalë për një eksperiment të planifikuar.
Si kompania e Shangait ashtu edhe prodhuesi nga Hangzhou konfirmuan se roboti i vogël Erbai shfrytëzoi një dobësi të sigurisë në sistemet e robotëve më të mëdhenj për të marrë kontrollin mbi sjelljen e tyre.
Një zëdhënës i kompanisë nga Hangzhou tha se eksperimentin e kryen për të testuar mundësitë dhe kufijtë e ndërveprimit midis robotëve dhe për të identifikuar dobësitë e mundshme.
Kompania e Shangait gjithashtu konfirmoi se gjatë eksperimentit roboti i vogël mori qasje të përkohshme në protokollet operativ të robotëve të tyre.
Ata theksuan se gjithçka ishte realizuar nën mbikëqyrje të rreptë dhe në kushte të kontrolluara. /Telegrafi/


