Nisin punimet për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit në Rahovec
KRU “Gjakova” përmes një njotimi ka bërë të ditur që kanë nisur punimet në projektin e ndërrimit të gypit furnizues nga Stacioni i Pompave në Pataqan të Ulët deri te Rezervuari në Pataqan të Epërm, një investim i rëndësishëm që synon përmirësimin e infrastrukturës ujore në komunën e Rahovecit.
Ky projekt parashihet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për banorët e zonës, duke rritur sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me ujë të pijshëm.
Gjithashtu, investimi pritet të ndikojë në zvogëlimin e humbjeve teknike në rrjetin furnizues, një sfidë e vazhdueshme për shumë zona rurale dhe urbane.
Punimet janë duke u mbikëqyrur nga afër nga Kryeshefi Ekzekutiv KRU “Gjakova” Hasan Krasniqi, i cili gjatë një vizite në terren theksoi rëndësinë e këtij projekti për jetën e përditshme të qytetarëve dhe për rritjen e efikasitetit të sistemit të ujësjellësit.
Punimet pritet të përfundojnë brenda afatit të paraparë, ndërsa autoritetet ftojnë qytetarët për mirëkuptim gjatë kohës së realizimit të projektit.


